Cana, në krizë te Gallatasarai

16/09/2010 12:55

27-vjeçari kuqezi u rrëfehet njerëzve të afërt për pakënaqësitë pas qëndrimit në stol.

Lorik Cana është në krizë. Lojtari më i spikatur i përfaqësueses shqiptare është i pakënaqur me ecurinë e deritanishme të aventurës së tij te gjigandët turq të Gallatasarait. Kjo situatë është krijuar edhe prej faktit se mesfushori 27-vjeçar ka përfunduar në stolin e rezervave (ashtu si ndodhi në ndeshjen e fundit që skuadra e drejtuar nga Frenk Rajkard ka fituar me rezultatin 1-0 kundër Gaziantepit), për shkak të rregullit për kufizimin e lojtarëve të huaj që luajnë në Superligë. Në kampionatin turk, çdo ekip ka të drejtë të aktivizojë vetëm gjashtë futbollistë të huaj njëkohësisht në formacionin titullar, ndërsa rregullorja parashikon që dy të tjerë të qëndrojnë në pankinë.

E përditshmja turke, “Fanatik”, ka theksuar se pikërisht kjo është arsyeja përse kuqeziu po përjeton një moment të vështirë te Gallatasarai. E njëjta gazetë ka theksuar gjithashtu se Cana u është rrëfyer disa të afërmve të tij, duke konfirmuar se nuk ndihet i lumtur me aventurën e tij në Stamboll. “Për Canën ekziston vetëm një opsion për t’u kthyer në formacionin titullar dhe ai është dëmtimi i kapitenit Arda Turan. Vetëm në një situatë të tillë, trajneri Frank Rijkard do ta aktivizojë shqiptarin nga minuta e parë e lojës, duke lënë jashtë 11-shit fillestar njërin prej dy futbollistëve të tjerë të huaj, Herri Kjuëll ose Pinon. Kjo është mënyra e vetme që Loriku të aktivizohet”, shkruante “Fanatik”. Zv.kapiteni i Kombëtares shqiptare u transferua te skuadra turke gjatë merkatos së verës, duke ndërprerë aventurën me Sandërlendin në Premier League, pavarësisht se tek anglezët ai ishte lojtari më i vlerësuar nga stafi teknik dhe tifozët e “maceve të zeza”. Fillimisht gjithçka dukej se po shkonte mirë, por pozicioni i Lorik Canës te Gallatasarai u vu në dyshim pas afrimit në skuadër të Insuas dhe Misimoviçit. Investimet e klubit shkaktuan në mënyrë direkte kufizimin e hapësirave të shqiptarit për të luajtur.

Mediat turke kanë folur edhe disa ditë më parë për pakënaqësitë e 27-vjeçarit, por lajme të tilla janë përgënjeshtruar nga vetë lojtari. Ndërkohë, së fundmi është spekuluar për rikthimin e Canës në Francë, ndoshta te PSG-ja, pasi mesfushori kishte deklaruar për sajtin e tifozëve parizienë, “psgteam.net”, se asnjëherë nuk i ka mohuar ndjenjat për këtë skuadër dhe se ndoshta një ditë do të rikthehej.

Top Channel