Milan, Real e Celsi startojnë garën europiane

15/09/2010 15:30

Pasi ka kaluar një fundjavë të dështuar në kampionat ku u mund 2-0 nga Cezena, Milani fillon sot në mbrëmje aventurën europiane të Champions League, ku përballë do të ketë francezët e Auxerre-it.

Trajneri i Milanit, Alegri është shprehur optimist për këtë takim duke kërkuar me cdo kusht të harrojë humbjen në kampionat edhe pse vlerëson francezët për paraqitjen që kanë bërë në ndeshjet play-off që i sollën deri në fazën e grupeve të kësaj veprimtarie. Milani vjen në këtë ndeshje pas 4 humbjeve radhazi në transfertë, por me Nestën dhe Sedorfin të rikthyer pas mungesës në Cezena. Ndërkohë Auxerre ka grumbulluar vetëm 4 pikë në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, duke treguar një disnivel edhe në shifra me kuqezinjtë.

Edhe Reali i Mouriho-s do të debutojë në këtë sezon të Champions League mbrëmjen e sotme në ndeshjen kundër Ajaksit. Trajneri portugez e ka fituar Champions-in me Porton në vitin 2004 dhe Interin në sezonin e shkuar. Reali i Madridit do të kërkojë në këtë sezon të fitojë trofeun pas një periudhe të gjatë, ashtu si Ajaksi që rikthehet në këtë fazë të kësaj veprimtarie pas shumë kohësh. Madrilenët kanë fituar vetëm një herë me Ajaksin në kupat e Europës në vitin 1967, ndërkohë që skuadra holandeze ka fituar 4 herë përballë tyre. Një tjetër përballje interesante e mbrëmjes së sotme është ajo mes Romës dhe Bajernit të Mynihut.

Italianët janë mundur thellë në ndeshjen e fundit të kampionatit 5-1 dhe në këtë takim do të kenë disa mungesa duke detyruar trajnerin Ranieri të kërkojë edhe ndihmën e fatit. Pavarësisht se Bayern do të paraqitet në këtë ndeshje pa Ribery dhe Robben, për Ranierin ata mbeten sërish një skuadër shumë e fortë për t’u mundur. Në grupin F, Celsi do të përballet sot me skuadrën sllovake të Zilinës.

Blutë e Londrës po kalojnë një periudhë shumë të mirë të fillim sezonit, pasi në 4 ndeshje në kampionat kanë shënuar 17 gola dhe kanë pësuar vetëm 1. Celsi ka arritur katër herë në gjysmfëinalen e Champions League dhe ka fituar 6 nga 8 ndeshjet e para të fazës së grupeve për të mos lënë pa përmendur se në 7 edicionet e fundit 5 herë e ka mbyllur këtë fazë në krye të grupit.

Top Channel