Liga e Kampionëve, të mëdhenjtë s’gabojnë

15/09/2010 22:45

U luajtën ndeshjet e para të fazës në grupe për grupet E, F, G dhe H. Kryendeshja e kësaj mbremjeje, ajo mes Bajernit dhe Romës në grupin E u fitua nga gjermanët me rezultatin 2-0.

Golat për bavarezët u shënuan që të dy në pjesën e dytë të takimit, fillimisht me Myler në minutën e 79-të dhe Klose në të 83-ën. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi rumunët e Cluj fituan ndaj zvicerianëve të Bazelit me rezultatin 2-1.

Në grupin F Spartaku i Moskës trondit Marsejën në Francë duke fituar minimalisht 0-1, ndërsa Çelsi i Ançelotit shkatërroi 1-4 modestët e Zilinas.

Grupi me 20 trofe të Ligës së Kampionëve, ai G, nuk ka dhënë asnjë surprizë. Reali fitoi 2-0 me Ajaksin, po aq edhe Milani me Aukserin.

Në grupin H Arsenal fiton me goleadë ndaj Bragës. Topçinjtë fituan 6-0 në Londër ndaj portugezëve. Ndërkohë Shaktari mundi 1-0 Partizanin e Beogradit.

Liga e Kampionëve rikthehet pas dy javësh me ndeshjet e dyta të grupeve.

Top Channel