Finiq, zbulohen 6 ndenjëse të teatrit antik

15/09/2010 09:00

“Është një moment që shënon një hov të ri në punën e arkeologëve për nxjerrjen në dritë të teatrit të madh të Epirit e Ilirisë së Jugut”, kështu e ka quajtur arkeologu Dhimitër Çondi, zbulimin e djeshëm në Finiq të gjashtë ndenjëseve prej gurit të teatrit të këtij qyteti antik.

Ekspedita italo-shqiptare ka nxjerrë në dritë dje gjashtë ndenjëset e teatrit të Finiqit, i cili, sipas të dhënave, është dhjetë herë më i madh se ai i Butrintit.

Ndërkaq, profesor Çodni thotë se do të duhen vite për ta zbuluar tërësisht këtë teatër me shkallaret e saja, ndërkohë që Finiqi vlerësohet si vendbanim arkeologjik nga më të pasurit.

Në mënyrë të veçantë veçohen akropoli në kodrën e Finiqit dhe Nekropoli që gjendet në pjesën aktuale të banuar të Finiqit të sotëm.

Gërmimet që po kryhen në Bazilikën dhe teatrin e Finiqit, kryesohen nga drejtoresha e Institutit Arkeologjik në Tiranë, Shpresa Gjongecaj, dhe nga profesor Sandro de Maria për palën italiane.

Në prag të promovimit të një bashkëpunimi shumëvjeçar shqiptaro-italian, që do të bëhet këto ditë, mësohet se gërmimet që po kryhen në Bazilikën e Finiqit, sipas profesorit të Arkeologjisë në Universitetin e Bolonjës, Enriko Xhorxhi, puna është një fazë mjaft interesante.

Këto gërmime do të ndihmojnë arkeologët dhe studiuesit për rindërtimin e hartës së vendbanimit antik, si dhe rivitalizimin e sitit, duke synuar që ai të bëhet i vizitueshëm.

Top Channel