Partizani në “ajër”, vendimi të premten

14/09/2010 11:00

Sezoni ka nisur, por Partizani vazhdon të jetë në “ajër”. Skuadra është bërë viktimë e dy aksionerëve, Albert Xhani dhe Paro Laçi, që pas konfliktit për drejtimin e klubit kanë krijuar dy skuadra të ndryshme për këtë edicion të Kategorisë së Parë. Çështja është mjaft komplekse dhe shumë e vështirë për t’u zgjidhur.

Kjo është arsyeja përse Federata Shqiptare e Futbollit, ndryshe nga sa kishte bërë të ditur, e ka shtyrë sërish marrjen e vendimit se cilin ekip do të federojë. Edhe pse gjatë ditës së djeshme pritej që mjaft pikëpyetje të zgjidheshin, institucioni që drejton sportin më popullor në vend ka kërkuar kohë deri të premten.

Komiteti Ekzekutiv ka kërkuar më tepër kohë për të shqyrtuar në mënyrë më të detajuar dokumentacionin që është paraqitur, mes të cilave figurojnë vendime të Gjykatës së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR).

Në anën tjetër, shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, ka bërë të ditur se federata do të konsultohet me një studio ligjore për të zgjidhur këtë problem. “Vendimi për Partizanin është shtyrë, pasi më parë duhet të konsultohemi me një studio ligjore”, deklaroi përgjegjësi për mbarëvajtjen e kampionatit të futbollit në Shqipëri.

Ndërkohë, aksioneri Paro Laçi, i cili është njohur me vendim gjykate si administratori i skuadrës së kuqe, ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën e Tiranës. Ai pretendon nga kjo e fundit marrjen e një vendimi final, në mënyrë që Partizani të nisë normalisht kampionatin. Për shkak të “luftës” mes drejtuesve, FSHF vendosi të shtynte për një periudhë të pacaktuar ndeshjen e javës së parë të kampionatit, ku kryeqytetasit do të luanin me Pogradecin.

Top Channel