Champions League, Inter në mbrojtje të titullit

14/09/2010 15:55

Fillon sot aventura e mbrojtjes së titullit kampion për Interin, i cili do të përballet në ndeshjen e parë të fazës së grupeve me debutuesit e Twente-s.

Nuk ka ndryshuar thuajse asgjë te Interi i sezonit të shkuar dhe padyshim ky është një ndër problemet kryesore për trajnerin e skuadrës holandeze Michel Preud. Ndeshja e parë mes tyre do të zhvillohet në transfertë për Interin, ndërkohë që vendasit e konsiderojnë ndeshjen në shtëpinë e tyre si një motiv më shumë për të kërkuar maksimumin.

Tre pikët janë dhe objektivi i skuadrës së Benitezit i cili ka deklaruar se skuadra e tij është përmirësuar që nga dita që ai ka marrë drejtimin, pavarësisht se është i vetëdijshëm se aktivitetet ndryshojnë nga sezoni në sezon.

Sot në mbrëmje në arenën europiane do të debutojë në fazën e grupeve edhe kampionia e Spanjës, Barcelona. Katalanasit vijnë pas një humbje të turpshme në kampionat me Herkules, megjithatë në “Camp Nou” do të presin Panathinaikosin dhe trajneri i tyre Pep Guardiola është i bindur se shumë shpejt të gjithë do ta harrojnë atë humbje në kampionat.

Nga ana e tij, trajneri i skuadrës greke Nikos Nioplias shpreson në një surprizë pasi e ka të qartë se Barcelona është ndër skuadrat më të mëdha në botë e më në formë të momentit. “Janë shumë të fortë, aq më tepër që vijnë nga një humbje e janë më të etur për fitore, por në futboll ekzistojnë surprizat,” ka deklaruar trajneri i Panathinaikosit. Ndërkohë në “Old Trafford”, Manchester United do të presë sot Rangers-in, kur Sër Ferguson do të përballet me ish-asistentin e tij Valter Smith.

Historikisht Manchester ka një rekord pozitiv në ndeshjet europiane që zhvillon në fushën e tij aq më tepër kur të gjithë lojtarët janë në formë të mirë e nuk ka asnjë të dëmtuar. Për Sër Ferguson, skuadra e këtij sezoni i ka të gjitha shanset për të arritur deri në finalen e madhe të këtij aktiviteti në “Wembley”. Ndërkohë trajneri i skuadrës skoceze Smith beson të arrijë të paktën në një barazim në këtë ndeshje për të rekuperuar më shumë në ndeshjet që do të luajë në fushën e tij.

Top Channel