Pronat, PD injoron presidentin

13/09/2010 11:05

Në rast se e ke fituar një pronë padrejtësisht nga komisionet e dikurshme të kthimit dhe kompensimit të pronave, drejtori i Agjencisë aktuale për kthimin dhe kompensimin e pronës, mund ta shfuqizojë këtë.

Cështja, eventualisht, mund të shkojë edhe njëherë në gjykatë. Ky është në thelb ndryshimi që i është bërë më korrik ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Në maj, Gjykata Kushtetuese kishte shpallur si antikushtetuese një dispozitë të ngjashme në ligjin e mëparshëm.

Por presidenti i Republikës, megjithë modifikimet që iu bënë variantit të ri, e ktheu ligjin për rishqyrtim në Parlament, duke vlerësuar se thelbi mbetet njësoj antikushtetues.

Në komisionin e ligjeve, Mesila Doda shpjegoi se cilat janë dallimet në variantin e ri. “Në ligjin e ri mundësia për të rishikuar një vendim bëhet kur ka rrethana të reja, kur ka të dhëna të reja, kur janë bërë gabime, etj. Së dyti, rishikimi për shpronësimin bëhet vetëm kur pronari sjell dokumenta orgjinale për pronësinë e tij”, ka deklaruar Doda.

Damian Gjiknuri e sheh cështjen të lidhur me projektligjin për mbrojtjen e investimeve të huaja, ku qeveria del garant për investitorët e huaj në rastet e konflikteve të pronësisë mbi tokën.

“Kujt do t’i hiqet e drejta e pronës nuk do të jetë më pronar. Qeveria i jep garanci investitorit të huaj dhe braktis pronarin. Ky ligj po hap siparin e një abuzimi shumë të madh, që ne kemi frikë se do të ndodhë. Presidenti po thotë ato gjëra që u thanë dhe këtu. Ky është një problem shoqëror”, është shprehur Gjiknuri.

Në fund të debateve, komisioni i ligjeve, vetëm me votat e mazhorancës, e hodhi poshtë dekretin e presidentit dhe i kërkoi seancës plenare t’i kalojë ndryshimet në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, pa asnjë modifikim.

Presidenti, i cili ka të drejtë t’ia kthejë vetëm një herë ligjet Parlamentit, nuk ka më gjë në dorë. Në këtë pikë ai vetëm mund të shprehë edhe njëherë mosaprovimin e tij, duke mos e dekretuar ligjin.

Por në këtë rast, ligji do të hynte në fuqi pa firmën e kreut të shtetit, pra në heshtje. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shprehet edhe njëherë në këtë moment nëse modifikimiet e reja në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës janë kushtetuese, sic thotë mazhoranca, apo antikushtetuese, sic thotë opozita dhe presidenti i Republikës.

Top Channel