Europë, të vegjlit bëjnë ligjin

13/09/2010 11:25

“Tërmet” 7 ballësh në Europë ku skuadrat e vogla kanë treguar se futbolli luhet mbi të gjitha me pasion dhe jo me lekë.

Të paktën këtë here Michel Platini duhet të buzëqeshë, pasi është ai “armiku” kryesor i klubeve që bëjnë shpenzime marramendëse. Përvec Premier League ku Chelsea i Carlo Ancelotti-t kryeson bindshëm, në kampionatet më të mëdha të kontinentit të vjetër, ato që bëjnë ligjin janë skuadrat modeste me buxhet të vogël, por me shpirt të lartë gare.

La Liga sheh në krye Valencia-n dhe Atletico Madrid me nga 6 pikë. Këto dy klube nuk konsiderohen si të vogla në Spanjë, por krahasuar me Barcelonën dhe Real Madrid, mund të ngjajnë më shumë se modeste. Shembullin më të mirë e jep Valencia që i shiti pikërisht Barcës lojtarin më të mirë, David Villa, por vazhdon të jetë rezultative në fushë.

Në Gjermani Hoffenheim dhe Mainz 05 po bëjnë ligjin me nga 9 pikë. Modestët e Hoffenheim njihen për organikën e pasur, por gjithsesi askush nuk e mendonte se do bënin një start kaq fantastik. E njëjta gjë vlen edhe për Mainz 05, skuadër që një vit më parë qëndroi me vështirësi në kategorinë e më të mirëve. Franca drejtohet nga Toulouse ku Marseille, Lyon dhe Bordeaux nuk arrijnë të ecin me hapa të mëdha. Për ta mbyllur me Italinë ku Chievo Verona u ka dhënë një leksion të mëdhenjve se si luhet futboll. Skuadra e një lagjeje në qytetin e Veronas ka marrë 6 pikë dhe ka treguar një futboll premtues. E njëjta gjë mund të thuhet për Cagliari-n, skuadra që shtangu Romën me fitoren 5-1 në javën e dytë.

Në fund, nuk duhen lënë pa përmendur fitoret e Cesena-s përballë Milanit dhe humbja e Barcelonës në shtëpi nga debutuesit e Hercules-it.

Top Channel