SHBA bën detyrën, Turqia i falet sekondës së fundit

12/09/2010 08:30

SHBA-Turqi do të jetë finalja e Kampionatit Botëror në Basketboll. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mundur në ndeshjen gjysmëfinale Lituaninë me rezultatin 89-74, duke u rikthyer në finalen e botërorit pas 16 vitesh.

Edhe pse me mungesën e emrave të mëdhej, duket se me praninë e Kevin Durant, Amerika ka plotësuar gjithcka i mungonte. Kundër Lituanisë ai arriti të shënojë 38 pikë, një rekord i ri ky për këtë përfaqësuese, pasi rekordin e mëparshëm e mbante Carmelo Antoni me 35 pikë.

Lituania nga ana e saj zhvillon një lojë shumë të mirë dhe meriton duartrokitjet, pasi ka arritur të sigurojë një vend në zonën e medaljeve, arritje historike kjo për këtë përfaqësuese. Përpjekjet e tyre për të mbajtur amerikanët hasën në një reagim të shpejtë të përfaqësueses së SHBA-së e cila shumë shpejt mbyll ndeshjen duke kaluar për në finalen e madhe ku pëballë do të gjejë vendin organizator. Turqia mundi në gjysmëfinale Serbinë me rezultatin e ngushtë 83-82.

Ishte një kosh i Tuncerit më pak se një sekondë nga fundi i lojës që i dha atyre finalen e Kampionatit Botëror edhe pse pjesa më e madhe e lojës u dominua si teknikisht ashtu edhe psikologjikisht nga përfaqësuesja serbe. Por këtë herë fati ishte për skuadrën e Tanjevic, i cili do të zhvillojë ndeshjen e fundit, finalen e madhe me Shtetet e Bashkuara. Edhe pse u vunë menjëherë në vështirësi dhe nën presionin e skuadrës serbe, në sekondat e fundit u përmbys gjithcka në favorin e vendasve të cilët padyshim të ndihmuar nga fati siguruan këtë kualifikim që gjithashtu është historik për ta.

Top Channel