Papandreu: Tirana të mbrojë minoritetin

12/09/2010 15:55

Një mesazh drejt Tiranës zyrtare ka çuar kryeministri Papandreu në konferencën për mediat e huaja dhe vendase në kuadrin e ekspozitës ndërkombëtare që zhvillohet në Selanik.

Udhëheqësi i qeverisë greke është pyetur, midis të tjerash edhe për incidentin e ndodhur në Himarë, ku ka humbur jetën Aristotel Guma, si edhe për anulimin e marrëveshjes për kufirin ujërave detare, që janë kryer, sipas shtypit, në një klimë të acaruar nacioanliste.

“Është një çështje tepër serioze dhe nuk vlerësoj se këto ngjarje janë thjesht të rastësishme. Për fat të keq shohim fenomene të ngjashme, të një shpërthimi të nacionalizmit nga disa grupe ekstreme, por që fatkeqësisht ndikojnë në konkludime politike që kanë si qëllim të vënë në shënjestër minoritetin grek në Shqipëri, siç ishte ngjarja tragjike e vrasjes së Aristotel Gumës, por edhe veprime të tjera që tregojnë një qendrim armiqësor. Për ne është një çështje tepër serioze, sidomos për marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat duam që t’i kultivojmë në një frymë positive”, tha Papandreu.

Në pyetjen e drejtuar ndaj tij është kërkuar se si do të reagoje Athina zyrtare ndaj këtyre fenomeneve dhe si do të jetë politika ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

“Është një çështje serioze për ecurinë europiane të Shqipërisë, për arsye se nacionalizmat nuk ndihmojnë në Ballkan, nuk ndihmojnë në vendet fqinje, dhe dua të çoj këtë mesazh drejt palës shqiptare, se nacionalizmat kanë krijuar gjithnjë probleme, jo vetëm mids shteteve, por kanë shkaktuar edhe viktima në njerëz të thjeshtë. Ne këtu në Greqi, kemi bërë një përpjekje serioze për integrimin e shumë shqiptarëve në shoqërinë greke, ndoshta ka pasur edhe probleme, ndoshta ndodhen edhe ngjarje, por duhet t’u shmangemi këtyre nacionalizmave. Minoriteti grek është një minoritet që duhet të ketë mbrojtjen e shtetit shqiptar për sa i përket të drejtave të tij. Dhe ky është pozicionimi që qeveria greke do të mbajë”, vijoi më tej kryeministri grek.

Gjithashtu Papandreu është pyetur edhe përsa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës. Greqia, ka deklaruar ai, ka ndihmuar që të ekzistojë një pozicionim i përbashkët i BE-së me Serbinë duke hapur kështu në një mënyrë të butë, zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe njëkohësisht duke hapur një rrugë më të mirë dhe pa probleme për integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, në fund të vitit 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA