F1, Alonso në Pole Position

11/09/2010 15:05

Fernando Alonso ka fituar Pole Position në provat zyrtare të Cmimit të Madh të Italisë, duke thyer mitin Red Bull.

Në pistën legjendare të Monzës, Ferrari e McLaren kanë filluar duelin e tyre për Pole Position që në minisesionin e parë deri në të tretin, ku gjatë gjithë kohës dominues edhe pse me diferencë të vogël ka qenë spanjolli Fernando Alonso, i cili për herë të parë në këtë sezon do të startojë një garë nga vendi i parë.

Menjëherë pas tij është renditur kampioni i botës në fuqi, Xhenson Baton me McLaren, i cili regjistroi një kohë me dicka më shumë se një të dhjetat më të ngadaltë se ajo e pilotit të Ferrarit. Në linjën e dytë të startit të Cmimit të Madh të Italisë gjendet një kombinim Ferrari-Red Bull. Felipe Masa regjistroi kohën e tretë më të shpejtë të këtyre provave ndërkohë që përkrah tij do të jetë australiani Mark Veber, i cili në momentin e fundit të provave me kohën e tij arriti të lë pas Ljuis Hamilton. Në vendin e gjashtë është renditur piloti tjetër i skuadrës Red Bull Sebastian Fetel, një ndër pozicionet më të dobët të tij të startit në këtë sezon.

Cmimi i Madh i Italisë do të jetë gara e fundit eurtopiane e këtij sezoni dhe në të njëjtën kohë Shansi i Fundit për Ferrarin e Fernando Alonson për t’u rikthyer në luftën për titull. Gjithcka nga kjo pistë historike do të trasmetohet ditën e diel drejtpërdrejtë si gjithmonë në Top Channel, duke filluar nga ora 13:45.

Top Channel