Guardiola: Ibra më mësoi shumë

10/09/2010 21:40

Më në fund Pep Guardiola flet për Zlatan Ibrahimovic, tani që suedezi është një lojtar i Milanit.

“Falënderoj Zlatan për impenjimin e tij dhe ndihmën që na ka dhënë në fitimin e 5 titujve. Nuk e di nëse do t’ia dilnim pa të. Ishte një kënaqësi të punoje me të sepse mësova shumë”, deklaron në mënyrë të papritur tekniku i Barcelonës, nga i cili priteshin fjalë të ashpra për shtatlartin suedez.

Në vijim ai e ka uruar me disa doza ironie: “Shpresoj që të gjejë një vend tek Milani. I uroj të fitojë kampionatin dhe të luajë në finalen e Champions League meqë është ëndrra e tij”. Guardiola thekson gjithashtu se edhe pse lojtari ka deklaruar se nuk është ndier komod me trajnerin, ky i fundit mendon se është ndier mirë me sulmuesin.

“E përsëris, Ibra më ka ndihmuar të rritem dhe marr mbi vete gjithë përgjegjësitë. Kush duhet të dijë cfarë ndodhi, e di. Jam unë ai që vendos se cfarë duhet të thuhet, por njerëzve u intereson vetëm që skuadra të fitojë”, shton tekniku katalanas. Guardiola nuk kënaqet me kaq, sepse i jep dorën e fundit deklaratës me doza të theksuara ironie. “Ibra luan në nivele të larta prej 8 vitesh, ndërsa unë trajnoj në këto nivele prej tre vjetësh”, përfundon katalanasi.  

Top Channel