
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka dhënë një intervistë të gjatë në faqen zyrtare të institucionit që drejton, duke zbuluar të ardhmen dhe projektet që ka në plan.
Në moshën 74 vjecare, 35 nga të cilat i ka kaluar në FIFA, zviceriani mesa duket nuk ka asnjë deshirë të dalë në pension. “Kur erdha m’u ngarkua detyra të realizoja një detyrë për zhvillimin e shoqatës. Gjatë punës e kuptova shumë shpejt se futbolli është më shumë se një lojë. Misioni im nuk ka përfunduar ende”, thekson Blatter.
Në vijim ai flet edhe për botërorin e Afrikës së Jugut, duke mos fshehur kenaqësinë. “Të shpresojmë se gjithmonë do të dalë një kampion i ri, një kombëtare nga një kontinent ku kupa nuk është fituar ende. Koreja e Jugut shkoi shumë afër në vitin 2002 dhe këtë vit Gana mund të shkonte në gjysmefinale. Spanja arriti një sukses të merituar. Bashkë me Argjentinën ka prodhuar futbollin më të mirë dhe të dyja kombëtaret kanë lojtarë të rinj, ashtu si edhe Gana e Gjermania”, shton shefi i FIFA-s.
Blatter hedh një ide revolucionare, duke kërkuar heqjen e barazimeve nga faza e grupeve në botëror. “Kemi parë skuadra që zbrisnin në fushë për të mos humbur. Ky është një argument që dua ta bisedoj gjatë mbledhjeve të ardhshme në komisionet teknike. Duhet të gjejmë një rrugë që të inkurajojë futbollin e hapur në një turne të tillë ku skuadrat duhet të luajnë për të fituar. Duhen parë edhe shtesat ku shumë skuadra mbyllen në mbrojtje për të evituar me të gjitha mënyrat pësimin e një goli. Mund të shkojmë direkt tek penalltitë pas 90 minutave ose të rikthejmë golin e artë. Të shohim”, përfundon Blatter.
Top Channel