Spanja përballë Serbisë

05/09/2010 14:40

Finalja e Evropianit të basketbollit të vitit të kaluar Serbi-Spanjë, do të përsëritet edhe në botërorin e Turqisë në fazën çerekfinale të tij.

Përfaqësuesja serbe që vinte me ndryshime në këtë botëror vuajti jo pak përballë Kroacisë të cilën e mundi 73-72.

Në këtë derbi ballkanas ishin kroatët ata që e filluan më mirë takimin duke krijuar një avantazh të lehtë ndaj Serbisë falë një loje me aksione të shpejta.

Megjithatë skuadra serbe arriti të vërë gjithçka në ekuilibër, që zgjati deri në sekondat e fundit të ndeshjes.

Pikërisht në këto momente emocionet ishin edhe më të forta, pasi rezultati mes skuadrave deri në 1 sekondë nga fundi ishte i barabartë 72-72.

Në këtë çast, Serbia arriti të sigurojë fitoren pas një gjuajtje të lirë të realizuar nga Rashiç.

Skuadra kampione e botës, Spanja mund sërish Greqinë, këtë radhë në 1/8 e finaleve të botërorit.

Të besuarit e Skariolos e fituan këtë ndeshje me rezultatin 80-72 pas një loje të ekuilibruar për pjesën më të madhe të saj.

Edhe pse ishin grekët ata që morën kryesimin në minutat e para, Spanja e rimori veten dhe e përmbysi avantazhin e krijuar duke i mbyllur dy periodat e para në avantazhin 37-31.

Me fillimin e përiodës së tretë, Greqia sërish u shfaq më mirë dhe falë disa gjuajtjeve për 3 pikë radhazi arriti të rimarrë avantazhin, por që nuk zgjati shumë.

Spanja zhvilloi një lojë më të mirë në mbrojtje dhe në 5 minutat e fundit vendosi diktatin e saj duke vulosur fitoren falë pikëve të Navarros dhe Rudi Fernandez.

Top Channel