Indi, rebelët nisin vrasjen e policëve

03/09/2010 09:45

Rebelët maoistë në shtetin indian të Biharit kanë deklaruar se kanë vrarë një nga katër policët që kanë marrë peng.

Deklarata nuk është verifikuar ende, por rebelët kishin paralajmëruar se do të nisnin vrasjen e policëve nga e enjtja, nëse 8 bashkëluftëtarë të tyre nuk do të liroheshin.

Rebelët i morën peng policët ditën e hënë, pas një shkëmbimi të ashpër zjarri, nga i cili mbetën të vrarë shtatë policë të tjerë.

Forcat indiane të sigurisë po i luftojnë maoistët në shtete të ndryshme, por për shkak të reagimit të tyre mbi 200 agjentë kanë mbetur të vrarë vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti.

Nga ana e tyre rebelët deklarojnë se luftojnë për të drejtat e të varfërve dhe për ata që kanë humbur tokën për shkak të padrejtësive të shtetit.

Top Channel