Mourinho: Jam trajner, jo Harry Potter

01/09/2010 13:20

Kundërsulm i shpejtë për të goditur atëherë kur askush nuk e pret. Kjo është sjellja e skuadrave të Mourinho-s në fushë por edhe sjellja e tij para mikrofonave.

Pak ditë pas kritikave të ashpra në drejtim të skuadrës së Realit pas barazimit 0-0 në fushën e Mallorca-s, “Special One” i cudit të gjithë duke zgjedhur të flasë me atë që i pëlqen më shumë, ironinë.

“Jam një trajner, nuk jam Harry Potter. Magjia në realitet nuk ekziston dhe unë jetoj në futboll që është real. Jam tek Reali prej disa muajsh dhe kemi kryer rreth 40 stërvitje. E dini sa kemi bërë me të gjithë grupin e plotë? As 10”, deklaron Mou.

Në vijim ai shton se skuadra ka ende shumë rrugë për të bërë. “Për mua do ishte shumë e thjeshtë të mos ndryshoja asgjë. Mund të luanim si skuadra e sezonit të shkuar, duke ruajtur të njëjtat principe dhe të njejtën strukturë. Do të ishte më e lehtë në fillim të sezonit por gjatë rrugës do të rezultonte e gabuar. Nuk është drejtimi që dua të marr”, vijon portugezi.

Si për të shigjetuar edhe një herë Rafael Benitez, ai shton: “Nëse doja një ambient të qetë mund të kisha qëndruar tek Interi. Kampione Europe dhe e destinuar për të fituar edhe tre superkupa. Zgjodha Realin sepse më pëlqen rruga e komplikuar. Skuadra duhet të gjejë stabilitetin e dikurshëm. Nëse më pas titujt vijnë me mua apo me një tjetër, është e njëjta gjë”. Mourinho komenton edhe dy blerjet e reja, talentet Khedira dhe Oezil. “Jeta e gjermanëve nuk është e thjeshtë. Nuk flasin asnjë fjalë spanjisht”, përfundon trajneri i skuadrës kastiljane.

Top Channel