Formularët, sot nisin korrigjimet

01/09/2010 08:05

Maturantët që për shkak të nxitimit mund të kenë gabuar në regjistrimin e të dhënave personale në formularin A2, ose kanë kuptuar që është bërë gabim në mbledhjen e pikëve të tyre, kanë fituar të drejtën për t’i korrigjuar ato në formularin e pasaktësive.

Plotësimi i këtij formulari ka vlejtur vetëm për atë pjesë të maturantëve që kanë bërë ankesë pranë drejtorive përkatëse të shkollave për të korrigjuar gabimet e bëra në formularin e preferencave. Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se dje janë afishuar listat me pikët e nxënësve që kanë plotësuar formularin e pasaktësive.

Pra maturantët që kanë kërkuar të riplotësojnë një tjetër formular, me qëllim korrigjimin e pasaktësive, janë njohur dje me vlerësimin përfundimtar, të bërë zyrtar nga APRIAL.

Maturantët, të cilët nuk kanë rënë dakord me pikët që janë publikuar nga APRIAL në librin e transparencës kanë pasur dy javë kohë për të plotësuar ankesën drejtuar Ministrisë së Arsimit. Çdo maturant ka të drejtë të plotësojë formularin e korrigjimit të pasaktësive, që lidhet me të dhënat personale, notën mesatare, rezultatet e provimeve të detyruara (D1, D2) dhe atyre me zgjedhje (Z1, Z2).

Ky formular është përgatitur për të evidentuar korrigjimet e pasaktësive që duhen bërë për secilin maturant në veçanti. Ai u jepet vetëm nxënësve që kanë shfaqur pakënaqësi mbi të dhënat e tyre të zbardhura në librin e transparencës. Çdo maturant që konstaton një pasaktësi, ka të drejtë ta plotësojë këtë formular duke kërkuar korrigjimin e gabimeve.

Në formularin e korrigjimit të pasaktësive është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për Rrethin, Bashkinë/Komunën, Shkollën dhe Kartën e Identitetit. Kjo kërkesë duhet të konfirmohet zyrtarisht nga drejtoria përkatëse e shkollës, Drejtoria Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore (DAR/ZA), duke qenë se këto janë institucionet përgjegjëse për verifikimin e dokumentacionit shkollor. Të dhënat që kanë lidhje me notat D1, D2, Z1, Z2 konsultohen nga specialistët e APRIAL-it dhe AVA-s mbi bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga drejtori i APRIAL-it, Arben Fagu.

Pra, APRIAL-i, për secilin prej maturantëve disponon në kompjuter jo vetëm të dhënat e gjeneraliteteve, notave, por dhe imazhin e formularit A2 dhe atij të korrigjimit të pasaktësive, për atë kategori nxënësish që e kanë plotësuar.

Sipas afateve të përcaktuara nga MASH-i, deri më datën 30 gusht u dorëzuan në APRIAL formularët e korrigjimit të pasaktësive. Bashkë me librin e transparencës, për maturantët u shpërnda edhe formulari i korrigjimit të pasaktësive, i cili është plotësuar nga të rinjtë që kanë pasur ankesa lidhur me vlerësimin që u është bërë në provimet e Maturës Shtetërore.

Top Channel