Buxheti, shkurtimet e fondeve prekin sektorët

01/09/2010 15:30

Në fund të vitit të kaluar, kur hartoi buxhetin e vitit 2010, qeveria shqiptare planifikonte se do të mblidhte nga të ardhurat 361 miliardë lekë, por 6 muaj më vonë u detyrua t’i ulte ato me 28 miliardë lekë.

Por kriza ekonomike dhe ecuria e dobët në mbledhjen e të ardhurave e detyroi që vetëm pak muaj më vonë të sjellë në kuvend një draft të rishikuar të buxhetit, që këtë herë ndryshe nga vitet e tjera nuk e rriste buxhetin por e shkurtonte atë.

Më të prekurit ishin investimet publike dhe sektorë kyc të ekonomisë, bujqësia arsimi dhe shëndetësia. Fondet për sektorët prioritarë u shkurtuan edhe më shumë se sa mesatarja e shkurtimeve buxhetore. Sipas Ministrisë së Financave, fondet buxhetore për bujqësinë, sektorin që punëson më shumë se 50 për qind të popullsisë janë ulur me 30.5 për qind, në një kohë që mesatarja e shkurtimeve në buxhet është vetëm 9.5 për qind.

Fondet totale për sektorin e bujqësisë në 2010 do të jenë vetëm 5 miliardë lekë, shifër kjo 16 për qind më e ulët se sa ajo e vitit të kaluar.  Fondet për arsimin, një tjetër sektor jetik për ekonominë janë shkurtuar me rreth 54 milionë dollarë krahasuar me buxhetin e fillimit të vitit, ose 12.5 për qind.

Shpenzimet për arsimin do të jenë këtë vit me rishikimet më të ulëta edhe se sa ato të vitit të kaluar. Për shëndetësinë qeveria do të japë këtë vit rreth 3.5 miliardë lekë ose 35 milionë dollarë më pak se sa kishte parashikuar në buxhetin e fillimvitit. Dara e shkurtimeve preku fondet që qeveria jep për personat në nevojë, të cilat u ulën me  10 milionë dollarë.

Top Channel