Basketboll, Botërori, Turqia e Lituania kualifikohen

01/09/2010 23:15

Kombëtarja turke në basketboll ka fituar edhe ndeshjen e 4 në Botërorin e basketbollit, duke garantuar kualifikimin për në turin tjetër si vendi i parë i grupit C.

Këtë herë skuadra e drejtuar nga Tanjeviç e cila ishte pranë humbjes së parë ka prmbysur rezultatin në periodën e fundit duke mundur 79-77 Porto Rikon.

Në tre periodat e para portorikanët ishin dominuesit e ndeshjes, duke kryesuar rezultatin për çdo moment.  

Vetëm në fillimin e periodës së katërt falë pikëve të Kerem Gonlym turqit kaluan për herë të parë në avantazh për të mos e lënë më atë deri në fund t ndeshjes.

Shënuesi më i mirë i ndeshjes ishte portorikani Vasallo me 19 pikë, ndërsa për turqit ishte Hidayet Turkoglu.

Pas 4 ndeshjeve në Grupin C, Turqia gjendet në vendin e parë me 8 pikë dhe pas Amerikës dhe Lituanisë është skuadra e tretë që nuk ka pësuar asnjë humbje në këtë botëror.

Edhe Lituania e ka siguruar kualifikimin për në turin tjetër pas fitores 69-55 me përfaqësuesen franceze. Edhe pse e kanë nisur ndeshjen më mirë duke mbyllur periodën e parë me rezultatin 24 -11 francezët nuk kanë mundur të mbajnë këtë ritëm deri në fund, duke u dorëzuar përpara presionit të lituanezëve të cilët kanë përmbysur rezultatin.

Shënuesi më i mirë i sfidës ishte lituanezi Maciulis me 19 pikë, ndërsa për Francën ishte Batum me 13 pik.

Ndeshja e fundit e Lituanisë në grupi do të jetë ajo përballë Libisë më 2 shtator.

Top Channel