Kombëtarja, tension në miqësoren me Apoloninë

31/08/2010 22:10

Ka qenë një miqësore e tensionuar ajo e zhvilluar mes kombëtares shqiptare dhe skuadrës së Apolonisë. Ndeshja që përfundoi ne barazim 1-1 është ndalur disa herë prej  disa incidenteve banale mes futbollistëve të të dyja skuadrave si edhe futbollistëve me tifozët në shkallët e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.

Trajneri Kuzhe eksperimentoi në këtë miqësore me skuadrën që do të hedhë në fushë edhe në takimin e së premtes.

Lëvizjet e reja që kanë rënë në sy në këtë miqësore kanë qenë aktivizimi i Vangjelit në të majtë të mbrojtjes, duke e shtyrë më përpara Agollin dhe aktivizimi disa herë i Duros në qendër të mesfushës së bashku me Skelën.

Reparti që duket se po funksionon më mirë për skuadrën kuqezi duket se është sulmi, teksa edhe në këtë ndeshje është shfaqur Salihi si golashënues. Sulmuesi shkodran shënoi golin për kombëtaren, ndërkohë që për formacionin e Apolonisë drejtuar nga Ernest Gjoka shënoi Ribaj.

Skuadra kuqezi do të luajë të premten takimin e saj të parë eliminator kundër Rumanisë, një takim që do të transmetohet direkt në Supersport.

Top Channel