Historia e “Liqenit”, Berisha firmosi ndërtimet

30/08/2010 09:20

Projektit të betonizimit të liqenit ia hapi rrugën pikërisht kryeministri Berisha. Rreth 4 vjet më parë, pikërisht në një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit, ai firmosi ndryshimin e destinacionit: nga zonë sportive, në zonë ndërtimi.

Madje atëhere, kryeministri Berisha akuzoi kryebashkiakun Rama se mungesa e shesheve të ndërtimit ka ndëshkuar biznesin e ndërtimit. Në po këtë mbledhje u firmos edhe ndryshimi i destinacionit për kompleksin sportiv ‘Partizani’. Për këtë të fundit, leja e ndërtimit u firmos nga kryebashkiaku Rama gati një vit më vonë, në mbledhjen e këshillit të rregullimit të territorit të Tiranës. Vetëm 7 muaj më vonë u miratuan në parlament ndryshimet në ligjin për sportet, që lejonin kalimin e terreneve sportive te pronarët e ligjshëm të tokës.

Ndër pronarët e truallit të kompleksit ‘Partizani’, që përfitoi nga leja e ndërtimit të firmosur nga kryebashkiaku Rama, figuronin edhe dhëndrri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi dhe e motra. Duke ligjëruar kalimin e tokës te ish-pronarët e ligjshëm, ose në duart e një kompanie, ligji per sportet qe u miratua nga mazhoranca, i jepte formë të prerë edhe vendimit të mëparshëm të KRRTRSH-së, që i kishte ndryshuar destinacionin zones në afërsi të liqenit, përreth klubit Dinamo.

Thuajse në të njëjtën kohë me miratimin e ligjit të sporteve, një juri ndërkombëtare e shpalli këtë projekt si fituesin e konkursit ndërkombëtar për ndërtimet në zonën nga Kopshti Botanik dhe kompleksi Dinamo deri te diga e liqenit. Ilir Meta u ngrit kundër projektit, duke akuzuar se aleanca mes Ramës dhe Berishës po prishte mjediset publike.
 
“Kanë vendosur të shkatërrojnë përfundimisht gjithë komplekset e S.K Partizanit dhe të Dinamos, të zhdukin kopshtin boptanik për të ndërtuar kulla 20 kate”, tha asokohe Meta.
 
Më 6 gusht të 2008-ës, Edi Rama dha një intervistë për gazetën ‘Panorama’. Ai tha se projekti fitues i studios së ‘Winny Maas’, një prej mendjeve gjeniale të arkitekturës bashkëkohore dhe juria ndërkombëtare me emra të njohur arkitektësh dhe urbanistësh, ishin granci për cilësinë. Edi Rama sqaroi se ideja e ‘Winny Maas’ jo vetëm nuk i prish, por rikualifikon kopshtin botanik dhe zoologjik, pishinat dhe terrenet sportive ekzistuese, të cilat sipas tij, do të kthehen në hapësira publike të cilësisë më të mirë evropiane. Në fakt sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të studios fituese, bëhet fjalë për 225.000 m2 banesa, 60 000 m2 zyra, 20 000 m2 ndërtesa publike, 60 000 m2 ambiente tregtare, një hotel me 15 000 m2 dhe 20 000m2 pajisje sportive dhe argëtimi si edhe një parking.

Punimet duhet të kishin filluar në 2010, për një investim prej 600 milionë eurosh. Ndërkohë, qe prej akuzave te krereve te LSI-se 2 vjet më parë, duket se kanë ndryshuar personat dhe kompanite qe duhet te ndertonin kete projekt.

Sikurse është bërë e ditur këto ditë nga deputeti Gerti Bogdani, firma ndërtuese e projektit do të jetë ‘Vizion Contruction’, ku aksioner mazhoritar është partneri i deputetes Albana Vokshi. Vetë zonja Vokshi ka bërë publike kontratën, ku 20% të aksioneve të kompanisë i zotëron një shtetas, që sipas demokratëve është njeri i afërt me kryebashkiakun Rama. Por thirrjet e tyre që kryeministri t’i ndryshojë destinacionin zonës ngjajnë hipokrite dhe janë jashtë aktualitetit.

Meqë thirrjet vijne nga mazhoranca drejtuar kreut te mazhorances, per te anuluar vendimin e KRRTRSH te vitit 2006, te konfirmuar nga KRRTRSH edhe ne vitin 2008 shprehimisht vetem per kompleksin Dinamo, nuk ka shume gjasa, ne mos aspak, qe ato te merren seriozisht.

Fati i zonës duket se është vulosur kohë më parë, kur vete kryeministri Berisha i ndryshoi destinacionin truallit per ta bere pikerisht toke ndertimesh dhe kryebashkiaku i Tiranës shpalli projektin fitues. Për ta bërë zonën, sic u tha atëhere, një model urban alternativ e bashkëkohor, kartëvizita e Tiranës së shekullit të ri.

Top Channel