
Republika Federale e Gjermanisë sjell në Shqipëri një grua për të drejtuar ambasadën gjermane në Tiranë.
Zonja Carola Müller-Holtkemper është zëvendësuesja e ish-ambasadorit Bernd Borchardt. Diplomatja më e re e ardhur në Tiranë, më 15 gusht, është 55- vjeçarja Carola Muller-Holtkemper. Ajo lindi në Bad Homburg të Gjermanisë. Studimet e larta i ka përfunduar për ekonomi ndërkombëtare në Frankfurt dhe Paris.
Sapo ka marrë detyrën e saj si ambasadore e Gjermanisë në Tiranë, kryediplomatja gjermane pritet të dorëzojë letrat kredenciale pranë Presidentit të Republikës. Në dosjen e karrierës së saj si diplomate ajo mban eksperiencën si ambasadore në Eriwan nga viti 1996-1999, në vitet 2003-2004 ka punuar në ambasadën e Bagdadit, për dy vjet ka qenë zv/ambasadore në Rabat.
Në vitin 2006-2007 ka punuar pranë ambasadës së Khartum dhe së fundi, në tre vitet e fundit, ajo ka punuar si drejtoreshë e Referatit për Afrikën Lindore, pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme. Ambasada gjermane gjatë gjithë periudhës nën drejtimin e ish-diplomatit, Bernd Borchardt ka luajtur rol të rëndësishëm dhe ka qenë faktor kyç në zgjidhjen e krizave të herëpashershme që shkaktonin përplasjet politike në vendin tonë.
Po kështu, Gjermania është një ndër shtetet më të fuqishme të Europës me të cilën Shqipëria dhe qeveria shqiptare bashkëpunon ngushtë për investimet. Misioni i sektorit politik të kësaj ambasade është të vëzhgojë dhe analizojë politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, të ruajë kontakte të shumëllojshme me institucionet politike të Shqipërisë si qeverinë, ministritë, Parlamentin, partitë, organizatat joqeveritare, politikanët lokalë dhe gazetarët.
Po kështu ky mision parashikon edhe shkëmbimin e mendimeve dhe përvojës me ambasada të tjera në Tiranë, me delegacionin e Komisionit të BE-së, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare të përfaqësuara këtu.
Top Channel