Gonxhja që lindi Nënë Terezën

26/08/2010 20:00

Shkup, 26 gusht 1910. Plot 100 vite më parë, lindi Anjez Gonxhe Bojaxhiu, shtatvogla me zemër të madhe, që i dedikoi jetën e saj Zotit dhe njerëzve në nevojë, humanistja shqiptare e njohur në të gjithë botën si Nënë Tereza.

“Gjej kohë për të luajtur, gjej kohë të duash dhe të duhesh, gjej kohë të japësh, është sekreti i rinisë së përjetshme, është privilegj i dhënë prej Zotit. Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoist”.

Janë këto disa nga vargjet e shkruara nga Nënë Tereza, të cilat përfaqësojnë misionin e jetës së saj në shërbim të të varfërve, të sëmurëve, në shërbim të humanizmit.

Gonxhe Bojaxhi ishte fëmija i tretë i Kole dhe Drane Bojaxhiut, përkatësisht nga Mirdita dhe Gjakova.

Ëndërrat e rinisë së saj ishin të bëhej mësuese, të shkruante poezi, të kompozonte e luante muzikë.

Në moshën 18-vjeçare ajo u bë murgeshë katolike dhe mori emrin Tereza.

Në këtë periudhe, ajo u largua drejt Dublinit, duke u ndarë kështu me familjen e saj, për të mos u takuar më kurrë me nënën dhe motrën.

U vendos më pas në Kalkute, Indi. Aty realizoi fillimisht ëndrrën e saj për t’u bërë mësuese.

Më pas drejtuese e shkollës së vajzave. Në vitin 1951 themeloi urdhrin “Misionaret e dashurisë” duke iu dedikuar kështu të pashpresëve jo vetëm të Kalkutës, por edhe atyre nëpër botë.

Pikërisht në këtë vit ajo mori emrin “Nënë Tereza e Kalkutës”.  

Ajo u kujdes edhe si infermiere për të sëmurë, fëmijë, të moshuar duke ngritur edhe një sërë strukturash për ta, duke ndihmuar, por edhe duke shpërndarë mesazhe dashurie e paqeje.

Misioni i saj u bë i njohur në të gjithë botën, çka bëri që në 1979-n, të nderohej me çmimin Nobël për Paqen.

Të tjera çmime pasuan në vitet në vijim.

Regjimi shqiptar asokohe qendroi indiferent ndaj humanistes. Jo vetëm, ajo ishte ndaluar të hynte në vend, duke mos mundur as t’i jepte lamtumirën e fundit nënës së saj, deri në vitin 1989 kur vizitoi Shqipërinë.

Vazhdoi misionin e saj deri në moshën 87 vjeçare.

Në 5 shtator të 1997-ës u nda nga jeta.

Në tetor të 2003-shit Nënë Tereza u lumturua nga Papa Gjon Pali i Dytë, hapi i parë drejt shenjtërimit për humanistën që deshi jetën dhe e jetoi atë në shërbim të të tjerëve.

“Jeta është trishtim, kaloje, jeta është himn, këndoje. Jeta është luftë, pranoje, jeta është aventurë, rrezikoje. Jeta është jetë, mbroje”, shkruante Nënë Tereza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA