Disiplinori, Besa 4 ndeshje pa tifozë

25/08/2010 15:30

Vrullit të ofendimeve e skenave të dhunës në stadiumet shqiptare që në javën e parë të kampionatit, i është përgjigjur ashpërsisht Federata Shqiptare e Futbollit me anë të vendimeve të Komisionit të Dispilinës.

Skuadra e Besës për atë që ndodhi në ndeshjen me Skëndërbeun, ka humbur në tavolinë takimin me rezultatin 2-0. Ndërkohë për skenat e dhunës nga tifozët dhe ofendimet kundrejt gjyqtarit, skuadra e Kavajës është dënuar me zhvillimin e katër ndeshjeve pa tifozë dhe 1 mln lekë gjobë.

Por nuk ka shpëtuar pa u gjobitur edhe skuadra e Skëndërbeut për hedhjen e sendeve të forta në fushë nga tifozët e tyre. Korcarët janë gjobitur me 200 mijë lekët gjobë. Me tre ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë është dënuar lojtari i Besës, Paulin Dhëmbi, për ofendime kundrejt tifozëve kundërshtarë.

Edhe Elbasani është dënuar me zhvillimin e dy ndeshjeve pa tifozë dhe 200 mijë lekë gjobë për hedhje të sendeve të forta në fushë gjatë ndeshjes me Tiranën, ndërsa Vllaznia e cila luajti në Lezhë pasi ende nuk ka përfunduar rikonstruksioni i stadiumit “Loro Borici”, për hedhje të sendeve në fushë nga tifozët është dënuar me 200 mijë lekë gjobë, me të njëjtën gjobë është dënuar edhe skuadra e Tiranës për mungesën e uniformës së dytë dhe mbërritjen në stadium me vonesë të pajustifikuar.

Në këtë mënyrë i është përgjigjur dhunës që në javën e parë Komisioni i Disiplinës, në pamje të parë një dorë e hekurt për të parandaluar këto skena jashtë normales në ambientet sportive, por këtë herë me shpresën që Komisioni i Apelit të mos bëjë zemërgjerin ashtu si në sezonet e shkuara.

Top Channel