Rikthehet dhuna në stadium

23/08/2010 20:15

Është rikthyer shumë shpejt, që në javën e parë dhuna në stadiumet shqiptare.

Problemet në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” gjatë ndeshjes Elbasani-Tirana, janë pasuar nga ato në ndeshjen Besa-Skënderbeu, ku ndeshja u ndërpre për më shumë se 10 minuta dhe më pas u mbyll para përfundimit të kohës së rregullt për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushë nga tifozët kavajas.

Vendimi i gjyqtarit Albano Jankut për të mos dhënë një 11 metërsh në favor të Besës në minutën e 88 ka irrituar tifozët e Besës të cilët kanë reaguar ashpër duke hedhur sende të forta në fushë.

Kryesori Janku ka tentuar dy herë për të rivazhduar ndeshjen, por gjithçka është mbyllur, kur është goditur anësori Denis Rexha.

Goli i vetëm dhe i fitores për korçarët u shënua nga Markoviç në fundin e pjesës së parë.

Gjithçka ka ndodhur në këtë javë të Superligës dhe në kampionatet europiane, do të analizohet nga emisioni i mbrëmjes në Top Channel, “Procesi sportive”, i cili starton sot për të tretin vit radhazi me të ftuar specialë e me analistët më të mirë të sportit në vend.

Si gjithmonë i gjithë ky proçes do të drejtohet nga dyshja simpatike Eduard Manushi dhe Marina Vjollca.

Top Channel