Regbi, një shqiptar me fanelën angleze

23/08/2010 11:45

Regbia është një ndër sportet më të vjetër në Europë krijuar nga britanikët në shekullin XIX dhe gëzon popullaritet në shumë vende të botës.

Megjithëse në trojet shqiptare ky sport nuk praktikohet, tashmë edhe Shqipëria mund të krenohet se ka një lojtar të sukseshëm të sajin në këtë sport. Olsi Krasniqi, është një prej talenteve të regbisë angleze që brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur të firmosë një kontratë si profesionist.

Talenti që ai ka e ka lejuar të veshë fanelën e përfaqësueses angleze për moshat nën 20 vjec. 17 vjecari shqiptarë është formuar si sportist në kolegjin “Feltham Community” të Londrës që gëzon një rekord të shkëlqyer në prodhimin e talenteve. Këtë sezon ai luan në formacionin bazë për ekipin londinez Harlequins.

Sipas trajnerëve të këtij ekipi, Krasniqi ka një talent të jashtëzakonshëm, edhe pse detyra e tij në fushë nuk është nga më të lehtat. Olsi luan në rolin e mbrojtësit ku gjithmonë ka dyluftime. Ai zotëron një teknikë të ashpër në ndërhyrje, duke dominuar përplasjet me kundërshtarët. Megjithëse ka lindur në Angli, ai asnjëherë nuk e ka fshehur origjinën e tij shqiptare duke u bërë kështu mbase shqiptari i parë në botë që luan në një ligë profesioniste të regbisë.

FOTO GALERI
1/3
17 vjecari Krasniqi luan me ekipin Harlequins

Top Channel