Barcelona “kopjon” Interin

22/08/2010 11:30

Eshtë Barcelona fituesja e trofeut të parë sezonal në Spanjë.

Skuadra Blaugrana ka arritur të përmbyse humbjen e ndeshjes së parë të superkupës me Seviljen 3-1, duke fituar këtë ndeshje të dytë në “Camp Nou” me rezultatin e thellë 4-0. Që në 45 minutat e para të ndeshjes Barca siguroi fitimin e trofeut duke shënuar 3 gola.

E fillon Konko me një autogol, për t’i lënë më pas rradhën Lionel Mesit për të vazhduar me magjitë e tij me golin e dytë dhe të tretë në minutën e 25-të dhe të 44. Pjesa e dytë dukej një ndeshje formale me pak raste për Sevijen dhe me një Barcelonë gjithnjë në kërkim të golave, një gjë e zakonshme për katalanasit në stadiumin e tyre “Camp Nou”.

Goli i katërt ka ardhur në fundin e takimit pas një kombinimi perfekt të Vijës me Iniestën e më pas me Mesin që vulos gjithcka në këtë finale. Guardiola arrin të ngre një tjetër trofe me skuadrën e tij të magjishme, duke lëshuar sinjale të forta për Realin e Mourinjos, në prag të fillimit të Primera Division.

Top Channel