Superiore, Dinamo nis mbrojtjen e titullit

21/08/2010 11:00

Pas dështimit në kupat e Europës, zhurmës së merkatos dhe lëvizjeve të panumërta (të cilat pritet të vazhdojnë deri më 31 gusht), sot Kategoria Superiore do të startojë zyrtarisht.

Ceremonia e hapjes së kampionatit të 72-të kombëtar do të zhvillohet në sfidën ku Dinamo, kampione e Shqipërisë në fuqi, do të nisë mbrojtjen e titullit kundër Flamurtarit. Përballja do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa” në orën 17.30, ndërsa blutë vijnë në këtë ndeshje pas paraqitjes së dobët të pak ditëve më parë, në finalen e humbur të Superkupës me Besën.

Vetëm pak orë para se të zbrisnin në fushë, dinamovitët kanë marrë një goditje të rëndë në merkato, pasi argjentinasi Rafael Soza është larguar drejt Skënderbeut. Largimi i mesfushorit me tipare ofensive i ka shkaktuar dhimbje koke trajnerit Luis Manuel Blanko, i cili vuan mungesën e alternativave në stol, i cili nuk ka në dispozicion Putinçianin, ndërsa do të jetë i detyruar të aktivizojë Allmuçën edhe pse ky i fundit nuk e ka zhvilluar të plotë fazën përgatitore. Në fakt, ndryshe nga një sezon më parë kur për pjesën më të madhe të sezonit dominuan kampionatin, tashmë kryeqytetasit duken më “tokësorë”.

Afrimet e Hidit në portë, e Muzakës dhe Garsias në mesfushë, i kanë dhënë më tepër forcë repartit ofensiv, ndërsa duket se është harruar mbrojtja, që ka paraqitur mjaft probleme. Situata te Dinamo bën që Flamurtari të ketë një arsye më shumë për të kërkuar rezultat pozitiv në javën e parë të edicionit 2010-2011. Për më tepër, vlonjatët e drejtuar nga Gugash Magani paraqiten me një skuadër të përforcuar, pas afrimeve të lojtarëve me eksperiencë si Ramadani, Devolli, Ahmataj e Xhafaj. Sot në fushë do të zbresin edhe Teuta me Laçin. Pas ndeshjes miqësore të Kombëtares dhe finales së Superkupës, më në fund do të jenë durrsakët ata që luajnë me drita në stadiumin “Niko Dovana”. Trajneri Edi Martini do të kërkojë të debutojë me fitore, por duhet të bëjë llogaritë me kurbinasit e drejtuar nga Stavri Nica, që gjatë edicionit të kaluar arriti të ndërtonte ekipin surprizë të kampionatit, duke i dhuruar për herë të parë laçianëve kupat e Europës.

Ndeshjet do të vazhdojnë nesër me ndeshjet Elbasani-Tirana dhe Vllaznia-Bylis, të cilat do të luhen në orën 17.30. Pas punimeve për ndërrimin e tapetit në “Loro Boriç”, shkodranët kanë vendosur që të luajnë në stadiumin “Brian Filipi” të Lezhës. Ndërkohë, në orën 19.00 në “Qemal Stafa” do të luajnë Shkumbini me Kastriotin, ku edhe peqinasit janë detyruar të “braktisin” stadiumin e qytetit të tyre, për shkak të rikonstruktimeve. Të hënën do të zhvillohet edhe sfida e fundit, Besa-Skënderbeu, e cila paraqitet si më interesantja e javës së parë të kampionatit, me korçarët që kanë investuar shumë në merkato, për të ndërtuar një skuadër fituese.

Top Channel