Kampionati, vazhdon “plaga” e federimeve

21/08/2010 11:25

Vetëm pak orë përpara startit të kampionatit elitar, thuajse gjysma e skuadrave ende nuk i kanë përfunduar procedurat e federimeve të lojtarëve për sezonin e ri.

Sipas burimeve në FSHF, pesë skuadra (të cilat luajnë nesër ose pasnesër) ende nuk janë në rregull me dokumentacionin. Bëhet fjalë për pesë klube, të cilat kanë për të bërë regjistrimin e plotë ose të pjesshëm të skuadrës.

Pasi kanë luajtur në Europa League, Besa dhe Tirana ende kanë federime për të mbyllur, ndërsa vazhdojnë të fitojnë kohë Elbasani, Kastrioti dhe Bylis. Ashtu si ndodh rëndom në Shqipëri, skuadrat do ta realizojnë regjistrimin e lojtarëve vetëm në minutën e fundit.

Ndërkohë, Vllaznia, Shkumbini, Skënderbeu, Flamurtari dhe Laçi kanë paraqitur në FSHF listën e skuadrave, por kjo nuk i përjashton përforcime të tjera.

Top Channel