Dinamo nis me humbje

21/08/2010 20:15

Ka filluar sezoni i ri i kampionatit të 72-të kombëtarë me ndeshjen mes kampiones në fuqi, Dinamos dhe Flamurtarit. Blutë kryeqytetas e kanë filluar ashtu si e mbyllën sezonin, me rezultat negativ, pasi janë mundur që në këtë javë të parë 1-0.

E ka filluar mirë Dinamo këtë ndeshje duke rrezikuar në disa raste vetëm nëpërmjet goditjeve standarde, pasi lojës së kampionëve i mungonte rrjedhshmëria në repartin e mesfushës dhe në atë të sulmit.

Një skuadër më kompakte është paraqitur në “Qemal Stafa” ajo e Flamurtarit e cila nëpërmjet lojës në krahë vendosi në vështirësi disa herë mbrojtjen dinamovite.

Pikërisht nga një sulm në krahun e djathtë Daniel Xhafa arrin të mposht i vetëm dy mbrojtësit e Dinamos e më pas edhe portierin Hidi duke shënuar kështu golin e parë dhe të vetëm të këtij takimi, gjithashtu dhe golin e parë në kampionat me fanellën e Flamurtarit.

Në pjesën e dytë edhe pse e spostuar më shumë në sulm Dinamo, ishte konfuze në tentativat për të shënuar, ndërkohë që Flamurtari i tërhequr mbrohej mjaft mirë dhe hera herës shfrytëzonte shpejtësinë e Roshit, Zeqirit dhe të Xhafës, duke u shfaqur të rrezikshëm sërish përball Hidit.

Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave rezultati mbeti i pandryshueshëm 1-0 e Flamurtari merr 3 pikët e para shumë të rëndësishme në këtë sezone, pasi arrin t’ja marrë Dinamos e cila e fillon edicionin e 72-të të kampionatit shqiptar me statusin e kampiones në fuqi.

Top Channel