Cana dëmtohet para Rumanisë

20/08/2010 12:25

Lorik Cana shqetëson ambientin kuqezi në prag të eliminatoreve të Euro 2012. Skuadra e drejtuar nga trajneri Josip Kuzhe do t’i nisë ndeshjet në Grupin D me sfidën e 3 shtatorit në fushën e Rumanisë.

Por, kur mungojnë vetëm dy javë nga takimi që do të luhet në stadiumin “Ceahlaul” të qytetit Pjatra Neamts, mesfushori kuqezi ka pësuar një dëmtim gjatë seancës stërvitore përpara sfidës së vlefshme për fazën “play-off”, që Gallatasarai ka luajtur me Karpati Lviv.

Për shkak të këtij problemi, 27-vjeçari nuk është aktivizuar në takimin e djeshëm kundër skuadrës ukrainase, të zhvilluar në stadiumin “Ali Sami Jen” të Stambollit. Trajneri i ekipit turk, Frenk Rajkard, ka dhënë siguri se dëmtimi i Canës nuk është i rëndë. Holandezi deklaroi: “Problemi i Lorikut nuk është shqetësues dhe mendoj se shumë shpejt ai do të kthehet për t’u stërvitur normalisht me skuadrën”.

Megjithatë, frika për Kombëtaren shqiptare ekziston: Lorik Cana është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, jo vetëm për lojën, por edhe për aftësitë e tij si lider natyral. Në miqësoren e fundit, atë të fituar 1-0 përballë Uzbekistanit, ai mbajti shiritin e kapitenit, ndërkohë që me “sakrifikimin” në mbrojtje, Cana i ka dhënë më tepër siguri repartit difensiv të përfaqësueses. Prezenca e tij do të ishte jetike në ambicien e Shqipërisë për t’i nisur eliminatoret me rezultat pozitiv.

Top Channel