
Këshilli i Ministrave merr vendimin për rritjen e pagës së personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë.
Dje, në mbledhjen e radhës, qeveria miratoi dyfishimin e pagave të pedagogëve, të cilët japin mësim në universitetet jashtë qytetit ku jetojnë.
Efektet financiare do të hyjnë në fuqi që nga 1 korriku.
“Anëtarët e personelit akademik, efektivë dhe joefektivë, që, për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi në institucione të arsimit të lartë, që e kanë vendndodhjen në qytete të tjera, larg vendbanimit të tyre, për çdo orë mësimi të kryer në këto institucione, do të paguhen me dyfishin e normës”, thuhet në vendim.
Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga fondet e institucioneve të arsimit të lartë, për vitin 2010.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2010.
Sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave, vendimi u mor në bazë të ligjit “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, si dhe ligjit “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave.
Sipas UT-së, pedagogët të cilët punojnë në universitetet shtetërore dhe janë përfshirë edhe në leksione jashtë orarit zyrtar, pra kanë pasur shtim ngarkese, duhet të marrin pagë më të lartë.
Nga ana tjetër, pak kohë më parë, 144 pedagogë të cilët japin mësim në Universitetin e Vlorës, “Ismail Qemali”, kanë nënshkruar një peticion, i cili tashmë ka mbërritur në postën zyrtare dhe elektronike të Kryeministrit Sali Berisha.
Qëllimi i këtij peticioni lidhet me pagesat në bazë të performancës dhe punës së secilit gjatë vitit akademik.
Top Channel