Nëndetësja “105” kthehet në muze

19/08/2010 10:00

Ishte parashikuar për t’u shitur për skrap, sipas vendimit të qeverisë, ku bashkë me tre të tjerat, nëndetësja e famshme “105” me emrin ushtarak “Tufani”, do të shkriheshin për qëllime industriale për hekur.

Por qeveria ka ndërruar mendje, nisur dhe nga presioni i opinionit publik, veteranët dhe historianët, që arma ushtarake e Luftës së Ftohtë të kthehet në muze.

E përdorur në filmin “Ballë për ballë”, me emër “105”-a, që e ktheu në legjendën e viteve ku Shqipëria “luftonte” me gjysmën e botës, nëndetësja “Tufani” i kishte humbur funksionet e saj që prej 20 vitesh, kurse me kalimin e kohës, sidomos me trazirat e ‘97-s, mjeti ushtarak u plaçkit, deri në skelet. “Tufani”, ashtu si dhe tri nëndetëset e tjera, është prodhim rus, i viteve ‘50, e cila kaloi në pronë të shtetit shqiptar.

Aktualisht, për këtë nëndetëse, si dhe për disa objekte të tjera ushtarake, ka një vendim qeverie për t’i kthyer për qëllime muzeore, me vendndodhje në bazën ushtarake të Pasha Limanit.

Bashkë me “Tufanin”, në muze për qëllime turizmi do të kthehen edhe 5 “katër silurues”, të identifikuar me emrat “Patrioti”, “Heroi”, “Trimi”, “Delfini” dhe “Luftëtari”.

Në muzeun e ri të mjeteve luftarake do të zhvendoset edhe rimorkio e famshme detare “Mujo Ulqinaku”.

Të gjitha këto mjete ishin parashikuar për t’u shitur për skrap, me qëllime përfitimi nga Ministria e Mbrojtjes, duke qenë se nuk ofron asnjë lloj shërbimi, ndërsa mirëmbajtja e tyre apo ruajtja kishte kosto.

Pesha e nëndetëses “Tufani” arrin deri në 700 tonë dhe është e përbërë nga çeliku dhe bakri, kurse rimorkio “Mujo Ulqinaku” ka një peshë prej 150 tonësh dhe përbëhet i gjithi nga çeliku.

Pak kohë më parë, Ministria e Mbrojtjes kishte deklaruar hapjen e procedurave të ankandit për shitjen e tri nëndetëseve, duke filluar nga çmimi i ankandit prej 300 mijë dollarësh, por oferta finale e kapërceu vlerën e 1 milion dollarë.

Bashkë me to, në listën e objekteve që do të ktheheshin për skrap ishte edhe nëndetësja “Tufani”, e njohur ndryshe me emrin “105”, për shkak të filmit të famshëm “Ballë për ballë”, me subjekt rreth raporteve të ngrira mes Shqipërisë dhe Rusisë dhe fundit të bashkëpunimit.

Për nëndetëset “shqiptare” ka pasur interes të madh nga qeveria çeke, e cila prej kohësh po punon për ndërtimin e një muzeu historik të mjeteve ushtarake të përdoruara gjatë Luftës së Ftohtë.

Madhe çekët arritën të zhvillonin takime edhe me Ministrinë e Mbrojtjes, ku gati desh u arrit marrëveshja me leverdi të madhe financiare.

Top Channel