Euro 2012, kombëtarja gjen strehë në Shkodër

19/08/2010 19:20

Kryeqyteti dhe stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” ka humbur dy ndeshjet e para eleminatore të Kampionatit Europian.

Më 7 shtator përball Luksenburgut dhe më 8 tetor përball Bosnje Hercegovinës, kuqezinjtë do të luajnë në stadiumin e shkodrës “Loro Borici”. Prej kohësh ekzistonte një mosmarrëveshje mes drejtorisës së stadiumit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për një projekt që lidhej me ndërrimin e tapetit të “Qemal Stafës” duke qenë se nuk është më në gjendje të përballojë ndeshje në kushte të vështira klimaterike.

Një projekt i miratuar nga FSHF dhe nga Ministria e Sporteve nuk është pranuar nga drejtoria e stadiumit e pas shumë përpjekjesh për konsesus, organi më i lartë i futbollit shqiptar ka zyrtarizuar edhe në UEFA stadiumin “Loro Borici”, si i vetmi pas “Qemal Stafës” që ka licensën për të zhvilluar ndeshje eliminatore ndërkombëtare.

Pak kohë më parë FSHF i ka kërkuar federatave respektive, asaj të Luksenburgut dhe të Bosnje Hercegovinës ndryshimin e vendit ku do të zhvillohen ndeshjet, një gjë e pranuar nga të dyja federatat e më pas ky ndryshim është pranuar dhe publikuar në faqen zyrtare të UEFA-s.

Nga ana tjetër duket se drejtoria e stadiumit ka kërkuar rifillimin e bisedimeve për të gjetur konsesusin, por të paktën për dy ndeshjet e para është shumë vonë për t’u gjendur një konsesus për të zhvilluar ndeshjet në “Qemal Stafa”.

Top Channel