Pandeli Majko, kryeministër në periudhën 98-99 dhe në 2002, mendon se letra ku Ministri i Jashtëm Meta i ankohet Sekretares së Shtetit, Klinton për ambasadorin Uidhers, shkakton një plasaritje në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por fajin për këtë ia ngarkon shefit të zotit Meta, kryeministrit Berisha.
“Në terma konkretë ky përbën një skandal dhe ky skandal nuk mund të fokusohet vetëm te marrëdhënia e MPJ. Nga eksperienca ime mund t’ju them se sidomos në marrëdhëniet me SHBA, MPJ nuk mund të veprojë më dijeninë totale të kryeministrit. Në këtë prizëm kemi një histori që përsëritet me politikën amerikane, e cila ndodh për herë të dytë, nuk ka ndodhur asnjëherë me qeverisjet e PS-së dhe gjithmonë ka pasur një protagonist dhe një emër, ky është kryeministri Sali Berisha”, deklaron zoti Majko.
Fatos Tarifa, ambasador i Shqipërisë në Uashington nga 2001 në 2005, shpjegon se në praktikën diplomatike shkëmbimi i letrave është normal. Por shton se letrat këmbehen gjithmonë në rrugë zyrtare. E megjithatë, pa thënë se kush mund ta ketë shkruar letrën e dërguar nga Ministria e Jashtme, zoti Tarifa mendon se Ministri i Jashtëm Ilir Meta nuk ka gabuar.
“Unë s’di të them se kush mund ta ketë shkruar letrën. Por Meta s’ka faj. Ai i ka njohur ambasadorët amerikanë dhe ka eksperiencë. Ai s’mund të ketë gabuar”, thotë ish-ambasadori Tarifa.
Por ish-ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara pranon se letra në vetvete mund të shkaktojë tension, sepse siç thotë ai nuk është serioze të sulmohet ambasadori amerikan, që s’ka bërë gjë tjetër veçse ka mbrojtur interesat që Amerika ka në Shqipëri.
“Mund të shkaktojë tension, por tension diplomatik dhe jo tension politik, sepse marrëdhënie janë të shkëlqyera që nuk mund të cënohen nga një incident i pakëndshëm. Sepse nuk është serioze të sulmosh një ambasador prapa krahëve, që ka mbrojtur interesat e SHBA-së në Shqipëri”, shton më tej zoti Tarifa.
Në të njëjtën linjë është edhe ish-kryeministri Majko, që shpjegon se janë ambasadorët amerikanë ata që nuk kanë lejuar që qeveritarët shqiptarë të vendosin marrëdhënie servilizmi me ta.
“Marrëdhëniet me ambasadorët amerikanë kanë qenë një marrëdhënie që ka vendosur një lloj standarti për të parë nëse gjërat në Shqipëri kanë ecur ose nuk kanë ecur mirë. Kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse qeveritë shqiptare të rradhës kanë qenë të përulura, kanë vajtur për dreka e darka me ambasadorët amerikanë. Kush e njeh politikën amerikane e di se politika amerikane nuk merret shumë me pjesën konfidenciale, sa burrë i mirë apo sa grua e mirë është kush qeveris në një moment të caktuar Shqipërinë. Marrëdhëniet nuk fillojnë nga politikanët, por me popullin shqiptar, që amerikanët dinë ta vlerësojnë”, shton më tej ish-kryeministri Majko.
Detajet e letrës që ministri Meta i ka dërguar sekretares Klinton nuk njihen, por Top Channel mundi të shtjerë në dorë një kopje të përgjigjes së ndihmës Sekretarit për Çështjet Europiane Pilip Gordon, ku merret në mbrojtje ambasadori Uidhers dhe theksohet se në Tiranë, ai ka vepruar konform udhëzimeve të Departamentit të Shtetit.
Top Channel