Katër fshatra në Fier “thahen” për ujë

16/08/2010 08:45

Zona të tëra në Rrethin e Fierit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Bëhet fjalë për fshatrat, disa prej të cilëve furnizohen nga ujësjellësit e komunave dhe disa të tjerë nga ujësjellësi i Fierit.

Mësohet se problemet janë krijuar nga ndërhyrjet e bëra në rrjetin ujësjellës nga fermerë të shumtë që vadisin tokat me ujin e pijshëm. Kurse nga ana e tyre përfaqësues të ujësjellësit thonë se nuk ka ndërhyrje në rrjet, por amortizimi i rrjetit shpërndarës është bërë shkak për mungesën e ujit të pijshëm.

Prej 4 muajsh banorët e disa fshatrave në Fier vuajnë nga mungesa e ujit. Ata detyrohen të udhëtojnë disa kilometra për t’u furnizuar me ujë, ndërsa nga ana e ujësjellësit ende nuk është marrë ndonjë zgjidhje për ta përballuar këtë verë të nxehtë. Nga ky fenomen janë prekur banorët e fshatrave Frakull e Madhe, Frakull e Vogël, Daullas dhe disa zona të Levanit”.

“Kemi katër muaj pa ujë dhe nuk po merren masa. Vapa përvëluese po na shton problemet. Jemi pa pikën e ujit dhe nuk dimë se kur do të gjejmë zgjidhje”, ankohet Ervehe Lamaj, banore e fshatit Daullas. Banorët janë shprehur se shkak për këtë mungesë të ujit prej më shumë se 4 muajsh është keqpërdorimi i tij prej banorëve të disa fshatrave që ndodhen përpara fshatit të tyre, të cilët kryejnë lidhje direkt në tubacionin kryesor dhe vadisin tokat.

 

Top Channel