Zyrtare, Baloteli tek Mançester Siti

13/08/2010 19:20

Merr fund telenovela “Baloteli”. Sulmuesi tashmë është zyrtarisht blerja më e re e anglezëve të Mançester Sitit. SuperMaroi ka nënshkruar një kontratë 5 vjeçare me anglezët të cilët drejtohen nga ish-trajneri i tij tek Interi, Roberto Mançini.

Marrëveshja mes Sitit dhe kampionëve të Italisë u finalizua pasi anglezët ranë dakort të derdhin 28 milion euro në arkën e Interit, ndërkohë që vetë lojtari do të qëndrojë 5 sezone në “City Stadium” dhe do përfitojë një pagë sezonale prej 3.5 milionë eurosh.

“Do të preferoja të rritesha në karrierë në vendin tim. Po largohem me shpresën se do aktivizohem më shumë, të luaj për mua është shumë e rëndësishmë. Kam nevojë të luaj, të gaboj dhe të mësoj prej këtyre gabimeve. Kërkoj një ambient më të qetë rreth vetes”, thuhet në faqen zyrtare të lojtarit.

Kjo transfertë i jep fund aventurës zikaltër të Maroi Balotelit, aventurë kjo e shoqëruar me dritëhije në ambientin e skuadrës së Interit. Sulmuesi gjatë periudhës Mourinjo nuk gjeti hapësirat e nevojshme në skuadër dhe duket se edhe Benitez nuk ia ka garantuar atë.

Ndërkaq paratë e grumbulluara nga shitja e tij, sipas mediave italiane, mund të përdoren nga Inter për arritjen e objektivave të merkatos verore, një ndër ta mbetet argjentinasi Maskerano i Liverpulit.

Top Channel