Shqipëria mund minimalisht Uzbekistanin

12/08/2010 08:15

Shqipëria fiton ndeshjen miqësore kundër Uzbekistanit me rezultatin 1-0. Edhe pse ishte hera e parë që kuqezinjtë përballeshin me këtë kundërshtar, gjatë gjithë kohës skuadra jonë përfaqësueses sulmoi duke krijuar shumë raste për shënim, por lojtarët vetëm njërin nga aksionet arritën të finalizonin me sukses.

Loja e shpejtë nga të dy krahët me Muzakën dhe Agollin i ka dhënë më shumë efikasitet sulmit Salihi-Bogani.

Ishte minuta e 14-të kur një krosim nga krahu i majtë i Agollit finalizohet nga sulmuesi i Rapidit të Vienës Hamdi Salihi, i cili regjistron kështu ndeshjen e tretë radhazi që shënon për përfaqësuesen.

Edhe pas këtij goli ishte skuadra jonë ajo që dominoi lojën e i imponoi kundërshtarit një lojë në mbrojtje dhe të corientuar.

Rastet e shumta të Bogdanit e Salihit deri në fundin e pjesës së parë, duke e kthyer në hero portierin uzbek.

Edhe pjesa e dytë vazhdoi me të njëjtin ritëm, e me dominimin e Shqipërisë edhe pse trajneri Kuzhe vendosi të aktivizojë të gjithë lojtarët e grumbulluar për këtë ndeshje, zëvendësime që rezultuan të suksesshme vetëm në mbajtjen e ritmit të lojës, pasi rezultati mbeti i pandryshuar 1-0.

Kjo është ndeshja e 9-të radhazi që kombëtarja jonë nuk pëson humbje, e fundit është miqësorja me Poloninë në vitin 2008, statistikë kjo që e klasifikon trajnerin kroat ndër më të suksesshmit në krye të pankinës sonë.

Nuk mund të mbetet pa përmendur fakti që ndeshja miqësore me Uzbekistanin u zhvillua për herë të parë në stadiumin e Durrësit “Niko Dovana”, i cili ka inauguruar dhe impiantin e ri të ndricimit.

Top Channel