Ndeshjet miqësore acarojnë klubet

11/08/2010 17:40

Klubet janë ankuar për datat e ndeshjeve miqësore të përfaqësueseve për shkak të grumbullimit të lojtarëve të tyre për këto ndeshje në prag të kampionateve respektive.

Më shumë se 50 ndeshje miqësore do të zhvillohen ditën e sotme në të gjithë botën, një datë kjo e paracaktuar nga FIFA për t’i dhënë një mundësi ekipeve përfaqësuese për t’u testuar.

Ankimimi i klubeve ka gjetur menjëherë përgjigjen e presidentit të FIFA-s Josef Blater, i cili është munduar të shpjegojë se datat e ndeshjeve miqësore për përfaqësueset janë të pakta gjatë vitit e mbi të gjitha, nuk është kusht për të grumbulluar lojtarët më të mirë.

Barcelona është një ndër skuadrat e ankuara për këto ndeshje pasi 7 lojtarë të saj i janë bashkuar përfaqësueseve të tyre dhe ktëo ndeshje zhvillohen vetëm 3 ditë përpara Superkupës.

Blater ka theksuar gjithashtu se datat e ndeshjeve miqësore do të rishikohen, por nga ana tjetër ka kërkuar bashkëpunim dhe mirëkuptim nga klubet, përfaqësueset dhe federatat e këtyre vendeve.

Top Channel