Shqipëria mirëpret botërorin e ngjitjes në mal

09/08/2010 20:15

Kampionati botëror i ngjitjes në mal do të zhvillohet në Shqipëri. Bruno Gonzolino, president i Federatës Botërore të Vrapimit në Mal, ka konfirmuar lajmin në prani të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri.

Një gjë e tillë është diskutuar rreth një muaj më parë, kur zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Sergei Bubka vizitoi vendin tonë për t’i propozuar ministrit këtë aktivitet që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Përvecse bëhet fjalë për një aktivitet sportiv të një dege të atletikës, vendit tonë ky kampionat botëror, që do të ketë 216 vende pjesëmarrëse, do t’i shërbejë edhe nga ana kulturore dhe nga ajo e turizmit.

Një gjë të tillë e ka përmendur edhe ministri Xhaferraj në takimin që zhvilloi me Gonzolino dhe me përfaqësuesit e Federatës së Atletikës së vendit tonë.

Sa i përket këtij aktiviteti, ai pretendohet të bëhet në malin e Dajtit, në kodrat e Liqenit artificial dhe në disa vende të tjera të cilat do të përcaktohen nga një grup specialistësh që do të kryejnë inspektimet në vendin tonë.

Top Channel