Makinat e sekuestruara, tender fiktiv

09/08/2010 09:40

Pak herë është dëgjuar për tenderin e makinave të sekuestruara nga shteti, forcat e policisë dhe aspak informacion rreth atyre që i blejnë, të ardhurat që krijohen, procedurat që ndiqen etj.

Me qindra automjete që sekuestrohen, përfshi edhe motorët, mbeten në magazinat e shtetit, nën administrimin e Policisë së Shtetit, pasi tërheqja e tyre nga pronarët kërkon procedura të gjata dhe kosto.

Në janar të 2007-s, Ministria e Brendshme nxori një udhëzim, ku sqaronte procedurat që duhet ndjekur në sekuestrimin dhe administrimin e automjeteve, kurse për mënyrën sesi duhej shitur në ankand nuk thoshte asgjë, përveç rasteve kur kalonte për skrap.

Në ankandet që zhvillon Policia e Shtetit, drejtoritë në qarqe dhe drejtoritë rajonale të rezervave materiale, citohet udhëzimi me numër 160, i datës 25 janar 2007, mbi të cilin kryhen procedurat e shitjes së automjeteve për qëllime tregtie, personale apo për skrap.

Udhëzimi me këtë numër nuk jep detaje sesi mund të marrësh pjesë në tender, por mësohet se ai paska ndryshuar, po që nuk gjendet i publikuar në asnjë faqe zyrtare të institucioneve përkatëse.

Duke parë historikun e ankandeve të zhvilluara, nuk ka të dhëna nëse për makinat e sekuestruara që policia i nxjerr në shitje, kanë marrë pjesë apo dalë fitues individë të thjeshtë, që zgjidhjen për të pasur makinë mund ta gjejnë në tilla procedura.

Në tenderët e fundit, vlera e të cilëve arrin deri në 5 milionë lekë, vihet re se janë të njëjtit subjekte që marrin pjesë dhe që fitojnë. Sipas njoftimeve të ankandit, në tender mund të marrë pjesë kushdo, mjafton të plotësojë dokumentet, por mënyra sesi shiten dhe bëhen ofertat, nuk lë hapësira për individët.

Automjetet janë të markave të ndryshme dhe me vit prodhimi nga ’85-a deri në 98-n, benzinë ose naftë, dhe çmimi fillestar i shitjes nis nga 50 mijë deri në 150 mijë lekë, kur automjeti ka vit prodhimi në dhjetëvjeçarin e fundit.

Në muajin gusht pritet të zhvillohen dy tenderë, nga drejtoritë rajonale të rezervave të shtetit, në Durrës dhe Elbasan, për shitjen e 62 automjeteve, me vlerë totale prej rreth 7 milionë lekë.

Vlerën e çdo makine e ka përcaktuar një komision, mbi bazën e një kriteri të vendosur në udhëzimin numër 160, i janarit 2007.

I njëjti udhëzim thotë se makinat mund të kalojnë nën administrim të shtetit, për qëllime publike, me urdhër të Kryeministrit.

Në shumë njoftime tenderësh, institucionet shtetërore kërkojnë të blejnë automjete të reja, me vlera që i kapërcejnë 5 milionë lekë, deri dhe në fuoristrada, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit kosto që arrijnë deri në 15 milionë dollarë në vit.

Nga ana tjetër, kemi magazina dhe parkingje të mbushura plot me automjete pa zot, që shkojnë në duar të tregtarëve.

Top Channel