Vijon kriza në Tatime, më keq se 2009-a

06/08/2010 10:45

Administrata tatimore nuk po mundet të dalë nga kriza e mosrealizimit të planit të të ardhurave.

Edhe pse nuk mungojnë masat e marra, mbledhjet e vazhdueshme, mbledhja me forcë e taksave etj., sërish nuk ka sukses, madje as për të qëndruar në nivelet e një viti më parë, kur vendi po përjetonte panikun e krizës ekonomike.

“Shqip” disponon të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, për periudhën janar-korrik 2010, pra 7-mujor, ku rezulton se në total administrata ka mundur të realizojë rreth 93 për qind të planit, me një diferencë në vlerë afërsisht minus 10 milionë euro më pak në buxhet.

Krahasuar me një vit më parë, tatimet janë 1 për qind më pak me realizimin, që do të thotë se situata vijon të jetë më negative sa pritej, pavarësisht ndryshimeve në strukturën drejtuese.

Pothuajse të gjitha taksat rezultojnë me humbje në planin e arkëtimeve, përfshi dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që konsiderohet shtylla kryesore e arkëtimeve.

Burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sqarojnë për gazetën se, aktualisht administrata po ecën me planin e vjetër të realizimit, dhe se i riu (rishikimi i buxhetit 2010) nuk ka mbërritur ende, kështu që shifrat u referohen parashikimeve të bëra para se të deklarohej zyrtarisht kriza ekonomike.

Gjithsesi, duke i krahasuar me vitin e kaluar, sërish Tatimet nuk do të mund të rezultonin me sukses edhe me planin e ri, që parashikon rreth 250 milionë euro më pak.

Jo vetëm periudha 7-mujore, por edhe korriku paraqitet me humbje në mbledhjen e të ardhurave për llogari të buxhetit të shtetit.

Nëse si 7-mujor, plani i realizimit të të ardhurave në total ishte 93 për qind, për muajin korrik paraqitet rreth 96 për qind.

Të gjitha taksat rezultojnë me plan negativ, si TVSh me 96 për qind apo akciza me 96 për qind.

Më keq paraqitet taksa tjetër, Tatimi mbi Fitimi, e cila në periudhën janar-korrik 2010, del me realizimin 89 për qind, kurse vetëm në muajin korrik 88 për qind, krahasuar me planin e vendosur nga Ministria e Financave.

Edhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP), taksa që trefishoi të ardhurat në buxhet për tre vite rresht, nuk ka mundur të dalë me sukses, pasi të dhënat nga tatimet tregojnë se plani i realizimit nuk ka shkuar më shumë se 90 për qind, si 7-mujor, kurse në korrik, rezulton 3 për qind më e lartë.

Të gjitha të dhënat janë mbi planin e vendosur nga ministria, para miratimit të shkurtimit të të ardhurave me 250 milionë euro.

Top Channel