Topi firmos, zgjedhjet në shtator

05/08/2010 08:20

Presidenti do të ndezë në shtator motorët e partive politike për nisjen e fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore.

Burime konfidenciale nga institucioni i Presidencës bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se më 8 shtator do të shpallet dekreti i Presidentit për datën se kur do të mbahen zgjedhjet lokale.

E diela e parë ose e dytë e muajit maj do të jenë dy data optimale kur do të kryhet votimi për krerët e bashkive dhe komunave në Shqipëri, si dhe për këshillat përkatëse.

Presidenti i Republikës do të nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për qeverisjen vendore jo më vonë se nëntë muaj para mbarimit të mandatit aktual të krerëve bashkiakë dhe komunalë.

Në bazë të përllogaritjeve të sakta që këshilltarët e Presidentit kanë kryer për përcaktimin e datës së zgjedhjeve lokale, është përcaktuar që dekreti të shpallet në muajin shtator.

Mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të katërt, pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve vendore më datë 8 qershor 2007, me vendimin me numër 1811.

Top Channel