Gushti “ngrin” fletët e votimit

05/08/2010 08:25

Përgjigjen e munguar të politikës për kauzën e transparencës e japin institucionet.

Pikëpyetjet e negociatave dhe finalizimi i tyre si temë debati të përditshëm politik, kanë gjetur një afat të ri te regjimi i ndryshuar i punës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Me një urdhër të brendshëm, kreu i këtij institucioni, Arben Ristani, i ka lejuar administratës të drejtën e pushimeve të plota gjatë muajit gusht, çka bën me dije se akti i asgjësimit të fletëve të votimit nuk do të ndodhë përpara muajit shtator.

Edhe pse dekreti i Presidentit për datën e zgjedhjeve ende nuk është firmosur, pezullimi i punës nga administrata e KQZ dhe largimi i anëtarëve të tij për pushime edhe si e tillë, jep një mesazh politik.

Urdhri është shoqëruar me detyrimin për t’u paraqitur në punë në datën 1 shtator, muaj në të cilin administrata e KQZ, sikurse bëhet e ditur, nuk do të ketë të drejtën e konsumimit të pushimeve apo lejes.

Ky ritëm i përshtatur pune zgjidh debatin e nxehur kohë më parë për djegien e fletëve të votimit, të cilat për të përdorur një term që fiton kuptim paradoksal, janë ‘ngrirë” kësaj radhe nga përfaqësuesit e djathtë.

Konteksti problematik i krijuar nga politika për sa i përket negociatave gjen një përgjigje konkrete, e cila edhe pse varet nga akti i kreut të shtetit në vetvete, sinjalizon edhe vullnetin e shumicës së djathtë për të shtyrë më tej këtë çështje.

Prezenca në KQZ e nëpunësve të administratës është aktualisht në kuotën minimale dhe kjo i jep një “siguri” shtesë opozitës për fatin e administrimit të fletëve të votimit, ku strehohet e vërteta e shumëkërkuar e 28 qershorit.

Top Channel