Pengohet rikonstruksioni i “Qemal Stafës”

04/08/2010 21:30

Mungesa e kushteve dhe mospërmbushja e pjesës më të madhe të standarteve për aktiviteteve ndërkombëtare të FIFA-s dhe UEFA-s, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, vazhdon të rrezikojë zhvillimin e ndeshjeve të përfaqësueses sonë brenda vendit.

Vetëm në tre ndeshjet e fundit të zhvilluara në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, me Danimarkën, Irlandën e Veriut dhe Andorën, Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur dhe ka marrë vrejtje të njëpasnjëshme nga vëshguesit e FIFA-s për kushtet e ambjenteve të brendshme të stadiumit, por edhe për gjendjen e fushës.

Për këtë arsye FSHF, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kanë përgatitur një projekt për plotësuar kushtin minimal, atë të kompletimit të stadiumit me një fushë normale që përmbush standartet e kërkuar nga ndërkombëtarët.

Por pavarësisht miratimit të këtij projekti nga institucionet më të larta si Ministria e Sporteve dhe Këshilli i Mbikëqyrjes, asgjë nuk po ndodh.

Drejtoria e menaxhimit të stadiumit “Qemal Stafa” nuk pranon ndërrimin e tapetit të fushës, një investim që do të bëhet nga FSHF në formë dhurate për stadiumin kombëtar në të cilin nuk zhvillohen vetëm ndeshjet e përfaqësueses, por edhe ato të kampionatit, ndeshje që në periudhën e dimrit, deri në pjesën e parë mund të dallohet ngjyra e gjelbërt e barit, në pjesën tjetër asgjë nuk ka lidhje më me një fushë futbolli vec përmasave.

Megjithatë, për momentin për shkak të pengesës që ka nxjerrë drejtoria e stadiumit, punimet kanë filluar dhe objektivi për të pasur një fushë të re në prag të eliminatoreve të europianit vazhdon të zbehet.

Për një zgjidhje alternative FSHF do të zhvillojë ndeshjen e 11 gushtit me Azejrbaxhanin në stadiumin e rikonstruktuar “Niko Dovana”, ditë në të cilën do të inagurohet edhe impianti i ri i ndricimit.

Top Channel