Mbyllja e plazhit, vendimi merret bashkërisht

04/08/2010 09:10

Mbyllja e plazheve, zonave të pushimit, publike apo private qofshin ato, është një vendim që merret bashkërisht nga autoritetet vendore, shëndetësore, mjedisore.

Shëndetësia, në rastin e plazheve të ndotura, ka detyrën të konstatojë e të kryejë ekspertizën në dobi të popullatës, të informojë strukturat duke dhënë sugjerimet përkatëse.

Më pas qeveria qendrore, në bashkëpunim me atë vendore, merr masa për mbylljen e plazheve të ndotura.

Vendimi për mbylljen e një plazhi merret nga këshilli bashkiak, komunal, nga inspektorati mjedisor dhe autoriteti rajonal.

Ndërsa Ministria e Mjedisit sqaron se vendimi për mbylljen e një plazhi i takon Drejtorisë së Shëndetit Publik Rajonal, Ministria e Shëndetësisë sqaron se kompetencat për marrjen e një vendimi të tillë e ka mjedisi, pushteti vendor dhe përfundimisht masat konsultohen dhe merren bashkërisht nga një grup ndërsektorial.

Nga ana tjetër, Ministria e Decentralizimit sqaron se autoritetet duhet të punojnë për të përmirësuar gjendjen dhe jo për të marrë masa drastike si mbyllja e plazheve.

Deklaratat

“Strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë ekspertizën, konstatimet dhe monitorimet. Inspektorati sanitar, asiston pushtetin vendor, me bazë laboratorike, analiza, matje, monitorime, konstatime.

Të dhënat përkatëse ia kalojmë mjedisit. Më pas strukturat mjedisore në bashkëpunim me pushtetin vendor, për ndotjen apo mbeturinat marrin masa.

Ne nga mjedisi jemi porositur që t’i ndihmojmë me ekspertizë”, sqaroi drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja.

Sipas tij, për administrimin e territorit është përgjegjës pushteti vendor. Po ashtu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, sipas legjislacioni në fuqi, pushteti vendor ka për detyrë të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për pushuesit, për pastrimin e territorit, për vendosjen e tualeteve të lëvizshme.

“Vendimi për ekzekutim merret bashkërisht nga këshillat bashkiakë, këshillat komunalë dhe qeveria qendrore, ndërkohë shëndetësia konstaton dhe jep informacionin e nevojshëm”, theksoi kreu i Higjienës.

Mjedisi dhe decentralizimi

“Ministria e Mjedisit nuk ka në kompetenca të mbyllë plazhet. Strukturat kontrolluese dhe monitoruese nën varësinë e Ministrisë së Mjedisit janë të autorizuara për të kontrolluar mjediset publike e private të plazheve, ambientet tokësore të plazhit, si dhe të penalizojë me gjoba subjektet që janë shkaktare të ndotjeve. Kompetencën e mbylljes së plazheve e ka autoriteti shëndetësor rajonal, njohur si Drejtoria e Higjienës për çdo qytet të caktuar”, sqaroi zyrtarisht Ministria e Mjedisit.

“Plazhet nga viti në vit kanë bërë përmirësime, të gjithë kemi qenë për të pushuar, ndryshimet janë të dukshme, në infrastrukturë, kushtet që ofrojnë. Ne nuk duhet të mendojmë për mbylljen e plazheve, por duhet të kujdesemi dhe të marrim masa për përmirësimin e gjendjes aty ku ka probleme”, sqaroi zëvendësministri i Brendshëm dhe i decentralizimit, Ferdinant Poni.

Sipas tij, nga viti në vit gjendja e plazheve dhe zonave të pushimit ka ndryshuar për mirë, ndërkohë që secili prej nesh bën konstatimet për zonat ku ka zgjedhur të pushojë.
 

Top Channel