Loja e fortë në botëror

03/08/2010 21:05

Loja e ashpër e zhvilluar në finalen e botërorit të Afrikës së Jugut nuk ka kaluar pa u ndëshkuar nga drejtuesit e lartë të FIFA.

Dy ekipet finaliste Spanja dhe Holanda, janë ndëshkuar me gjobë nga Komisioni i Disiplinës së institucionit më të lartë të futbollit botëror dhe kjo për shkak të numrit të lartë të kartonave të dhëna nga arbitri Hauard Ueb.

Federata Holandeze e Futbollit, që mori edhe numrin më të madh të kartonave do të detyrohet të paguajë shifrën prej 14 500 dollarësh.

Për Holandën ata që u ndëshkuan me kartona në këtë finale ishin Van Persi, Van Bomel, De Jong, Van Bronkhorst, Roben, Van Der Vil, Matejsen dhe Heitinga.

Ky i fundit mori dy kartona të verdhë që u pasuan nga një i kuq.

Ndërsa Federata Spanjolle e Futbollit është gjobitur me 9650 dollarë gjobë për kartonat e verdhë të marrë nga Pujol, Ramos, Kapdevila, Iniesta dhe Çavi Hernandez.

Sipas rregullores, një skuadër përfaqësuese ndëshkohet me gjobë nëse 5 ose më shumë futbollistë te saj marrin kartona të verdhë nga arbitri i një ndeshjeje.

Finalja mes Spanjës dhe Holandës, cilësohet si ndeshja me lojën më të rëndë pas asaj të botërorit të 1986 në Meksikë mes Argjentinës dhe Gjermanisë.

Top Channel