Oferta të reja në Kosovë

02/08/2010 21:15

Platforma televizive DigitAlb, në bashkëpunim me rrjetin kabllor IPKO, vjen në Kosovë me ofertë të re sportive.

Me përjashtim të ligës spanjolle, SuperSport merr të drejtën ekskluzive për transmetimin e Premier Ligës angleze dhe ligës italiane Seria A, si dhe të gjitha ngjarjet e tjera sportive.

“DigitAlb ka kërkuar me ngulm që evenimentet më të mira futbollistike të jenë prezent në tregun e Kosovës. E kemi pasur të vështirë t’i përfundojmë marrëveshjet në kohë, por ia kemi arritur për këtë sezon të ri. Të gjitha evenimentet sportive evropiane do të transmetohen ekzkluzivisht në Kosovë nga IPKO”, ka deklaruar Xhimi Tugu, menaxher i projektit në DigitAlb.

Sipas përfaqësuesve të DigitAlb-it  në Kosovë, platforma televizive DigitAlb dhe IPKO do të sjellin edhe ngjarje të tjera sportive si boks, tenis dhe e drejta eksklusive për NBA, një sport ky mjaft i shikuar në Kosove dhe Shqipëri.

Risi tjetër është se për herë të parë ngjarjet sportive në DigitAlb dhe SuperSport do të komentohen nga komentator sportivë nga Kosova.

“Do fillojmë më 14 gusht me Premier Liguën dhe një javë më vonë me Bundesligën. Të gjitha do të jenë në gjuhën tonë, bashkë me Serie A, Kupen e Spanjës, Ligën e Kampioneve, etj”, ka deklaruar komentatori Andin Lokaj.

Nga ana tjetër, drejtori për marrëdhënie me publikun në IPKO, Alban Kastrati tha se përvec ngjarjeve sportive, kjo kompani ka lancuar produktin Premium për gjashtë muaj, që ka çmimin 21 euro për muaj dhe për 12 muaj me cmim 16 euro për muaj.

Sipas tij, DigitAlb dhe IPKO shumë shpejt do të shtrijnë rrjetin në tërë territorin e Kosovës, përfshirë zonat rurale.

Top Channel