Formula 1, Veber fiton në Hungari

01/08/2010 16:05

Mark Veber me Red Bull ka fituar garën për Çmimin e Madh të Hungarisë duke e çuar në 4 numrin e garave të fituara prej tij në këtë sezon si dhe duke marrë kryesimin e përgjithshëm në klasifikimin për pilotë.

Piloti australian ka zhvilluar një garë të mirë duke lënë pas Fernando Alonson me Ferrari në vendin e dytë dhe shokun e skuadrës, Sebastian Fetel në vendin e tretë, ky i fundit i penalizuar për një parregullsi gjatë garës në momentin kur në pistë ishte makina e sigurisë.

I katërti e mbylli garën piloti brazilian i Ferrarit, Felipe Masa ndërsa Luis Hamilton me Meklaren braktisi garën për probleme teknike.

Për t’u përmendur vlen episodi në xhiron e 15 kur komisarët pasi vunë re sende në pistë vendosën hedhjen e makinës së sigurisë për të shmangur incidentet. Pikërisht, duke dashur të përfitojnë nga ky moment shumë skuadra thërritën pilotët e tyre për të kryer ndërrimin e gomave, duke shkaktuar kaos dhe incidente në bokse.

Rënditja për pilotë pas kësaj gare kryesohet nga Veber me 161 i ndjekur nga Hamilton me 157 e Fetel me 151, ndërsa për skuderi kryeson Red Bull me 312 pikë i ndjekur nga Meklaren me 304 dhe Ferrari 238 pikë.

Top Channel