Hungari, Red Bull në pole position

31/07/2010 15:10

Për të 11-tën herë, në 12 garat e këtij sezoni, Red Bull i Sebastian Fetel dhe ai i Mark Veber dominojnë në provat zyrtare, duke bërë monopol dy vendet e para në nisjen e garave.

Këtë herë dy pilotët e skuadrës austriake kanë qenë më të shpejtët në pistën e Hungarisë, duke konfirmuar se janë të pathyeshëm në xhirot e shpejta.

Vendin e parë e zuri gjermani Fetel ndërsa pas tij vjen shoku i skuadrës australiani Veber.

Paraqitje të kënaqshme kanë bërë dy makinat e Ferrarit, të cilët kanë zënë vendin e tretë dhe të katërt, respektivisht me Alonson dhe Felipe Masën.

Kryesuesi i këtij sezoni, Ljuis Hamilton është në vijën e tretë të nisjes, pasi regjistroi kohën e 5 më të shpejtë në Hungari.

Zhgënjimi i këtyre provave zyrtare ishin padyshim kampioni i botës në fuqi Xhenson Baton dhe Majkell Shumaker. Anglezi i Meklaren u eleminua në sesionin e dytë të provave dhe të dielën do ta nisë garën nga vendi i 11, ndërsa 7 herë kampioni i botës do ta nisë nga vendi i 14-të.

Emocionet e Çmimit të Madh të Hungarisë dhe dueli Red Bull-Ferrari do të transmetohet direkt të dielën në Top Channel në orën 14:00.

Top Channel